Instituti kinez i virologjisë në qytetin ku edhe u shfaq së pari covid 19, ka patur tre viruse të gjalla të lakuriqëve të natës por asnjë prej tyre nuk përputhet me atë që po shkakton kaos në të gjithë botën, thotë drejtoresha e institutit.
Shkencëtarët mendojnë se covid 19, që u shfaq së pari në Wuhan dhe i ka marrë jetën 340 mijë njerëzve në botë, e ka origjinën tek lakuriqi i natës dhe mund të jetë transmetuar tek njerëzit përmes një kafshe tjetër. Por drejtoresha e institutit të virologjisë në Wuhan, tha për transmetuesin shtetëror kinez CGTN se pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të tjerëve, se virusi mund të ketë dalë që andej, janë fabrikime të pastra.
“Ne kemi izoluar dhe siguruar disa koronaviruse nga lakuriqët e natës. Tani ne kemi tre viruse të gjalla. Por, ngjashmëria më e madhe e tyre me sars cov 2 shkon deri në 79.8 për qind”.
Një nga ekipet e kërkuesve të institutit, ka bërë kërkime për koronaviruset tek lakuriqët e natës që nga 2004 dhe është fokusuar tek gjurmimi i burimit të sarsit, virusi që qëndron pas një tjetër epidemie rreth dy dekada më parë.
“Ne e dimë se e gjithë gjenoma e sars cov 2 është vetëm 80 për qind e ngjashme me atë të sarsit dhe ky është një dallim i dukshëm. Ndaj, kërkimet e mëparshme nuk i kanë kushtuar vëmendje viruseve që janë më pak të ngjashëm me virusin Sars”.
Teoritë konspirative sipas të cilave laboratori është i përfshirë në pandemi, qarkullojnë online prej muajsh, edhe para se Trump dhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo të mbështesnin hapur tezën duke pretenduar se ka edhe prova se patogjeni ka dalë nga instituti. Laboratori ka thënë se i ka marrë kampionët e virusit asokohe të panjohur më 30 dhjetor dhe ka përcaktuar gjenomën më 2 janar, duke i përcjellë të gjitha informacionet OBSH më 11 janar.
Por para marrjes së kampionëve në dhjetor, drejtoresha thotë se virusi nuk kishte ndeshur, kërkuar dhe as mbajtur virusin. Sipas OBSH, Uashingtoni nuk ka dhënë prova për të mbështetur pretendimet e tij spekulative.
Top Channel