Ka rrezik/ Një e katërta e amerikanëve, nuk e duan vaksinën

22/05/2020 01:34

Një e katërta e amerikanëve janë pak ose aspak të interesuar për të bërë vaksinën e koronavirusit, zbulon një sondazh i kryer nga Reuters/Ipsos. Disa nga të anketuarit shprehin shqetësimin se ritmi rekord me të cilin po zhvillohen vaksinat mund të rrezikojë sigurinë e tyre.

Studimet për vaksinat janë duke u zhvilluar, por ekspertët vlerësojnë se të paktën 70 për qind e amerikanëve do të duhet të imunizohen përmes një vaksine ose një infektimi për të arritur atë që njihet si “imunitet turmës”, kur ka njerëz të mjaftueshëm rezistentë ndaj një sëmundjeje infektive për të parandaluar përhapjen e saj.

Presidenti Trump është zotuar se një vaksinë do të jetë gati deri në fund të vitit, megjithëse zakonisht duhen 10 ose më shumë vjet për ta zhvilluar dhe testuar për sigurinë dhe efektivitetin. Shumë ekspertë besojnë se një vaksinë e miratuar plotësisht nga qeveria nuk do të jetë gjerësisht në dispozicion, të paktën deri në mesin e vitit 2021.

Disa specialist thonë se theksi i vënë tek shpejtësia mund t’i shqetësojë njerëzit se për hir të saj, po sakrifikohet siguria. Për më tepër, gjatë periudhës së pandemisë në mediat sociale janë shtuar dezinformatat në lidhje me vaksinat, sipas studiuesve akademikë.

Sondazhi nënvizon se edhe polarizimi i thelluar i vendit ka ndikuar në mënyrën se si e shohin njerëzit pandeminë. Gati një në pesë republikanë thonë se nuk kanë interes për një vaksinë, më shumë se dyfishi i demokratëve që thonë të njëjtën gjë.

Në të gjithë botën ekzistojnë më shumë se 100 vaksina kandidate për COVID-19, përfshirë disa që tashmë janë në prova klinike me njerëz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA