Prindërit kinezë ritakohen me djalin e tyre të rrëmbyer 32 vjet më parë

19/05/2020 18:33

Një çift kinez, biri i të cilëve ishte rrëmbyer në një hotel në vitin 1988 është bashkuar me ta pas 32 vjetësh.

Mao Yin u rrëmbye kur ishte dy vjeç, kur i ati ndaloi për t’i sjellë një shishe ujë, teksa ktheheshin nga kopshti.

Prindërit kërkuan për të në të gjithë vendin dhe nëna e tij ka shpërndarë më shumë se 100,000 fletushka sensibilizimi.

Familja i ribashkua dje në një konferencë shtypi të policisë, teksa biri, tashmë 34 vjeç, tha se dëshironte të kalonte kohë me prindërit e tij.

“Doja të falenderoja mijëra njerëz që na kanë ndihmuar,” tha Li Jingzhi, nëna e djalit.

Ai kishte lindur në 23 shkurt 1986.

Por në 17 tetor 1988, teksa kthehej me të atin Mao Zhenjing nga kopshti, ai kërkoi të pinte ujë dhe bashkë me të atin ndaluan para hyrjes së një hoteli.
Kur babai ishte kthyer djali nuk ishte më aty.

Familja nisi të kërkonte në të gjithë qytetin Xian, duke vendosur postera ndërsa nëna e tij Li la punën për të shpërndarë rreth 100,000 fletushka nëpër provincat kineze.

Në 2007 zonja Li nisi të punonte si vullnetare me grupin e quajtur “Kthehu në shtëpi fëmijë”, për të ndihmuar prindër të tjerë që kërkojnë fëmijët e tyre.

Policia tha se në prill ata morën një informacion për një burrë nga provinca jugperëndimore Sichuan për një burrë që kishte adoptuar një fëmijë disa vite më herët.

Policia kreu testet e ADN në njeriun tashmë 34-vjeçar, dhe zbuloi ai kishte lidhje me Mao Zhenjing e Li Jingzhi. Djali i tyre Mao Yin – të cilit i kishin dhënë emrin e ri Gu Ningning – ka tashmë një biznes lyerje. Ai thotë se nuk është i sigurtë për të ardhmen por dëshiron të kalojë kohë me prindërit e tij.

Por hetimet për zhdukjen e vitit 1988 ende vazhdojnë dhe policia nuk zbuloi informacione mbi çiftin që ka rritur Mao Yin.

Rrëmbimi dhe trafikimi i bebeve në Kinë ka qenë një problem prej dekadash. Nuk ka shifra zyrtare por agjencia e sipër-përmendur “Kthehu në shtëpi fëmijë” ka postuar në faqen e saj 14,893 njoftime për djem të humbur, dhe 7,411 për vajza të humbura. (BBC)

FOTO GALERI
3/3
Policia nuk zbuloi informacione mbi çiftin që ka rritur Mao Yin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA