Nga Jacques Attali
Futbolli ndoshta mund të na duket si një temë krejt e parëndësishme për t’u diskutuar në këtë kohë ndërsa ka kaq shumë probleme të tjera edhe më serioze për t’u marrë. Megjithatë ky sport, një prej lojrave më popullore, mbetet gjithmonë një cështje që ndan diskutime në cdo kohë në globin tonë. Për më tepër, nuk duhet të na dalë nga mendja se futbolli është një aktivitet i madh ekonomik dhe ndër të paktat prej tyre ku rregullat vendosen në një nivel global dhe evoluojnë në të njëjtën mënyrë që nga klubet e mëdha profesionale të kampionatit anglez e deri në klubin më të vogël amator në Senegal. Si i tillë, evolucioni i futbollit gjatë kësaj pandemie pritet të na tregojë shumë për atë cfarë do të ndodhë mbi eventet e tjera live në botë, por edhe ato artistike që i takojnë shoqërisë.
Po të kemi pak më shumë fat, nëse pandemia zhduket plotësisht dhe shpejt mund t’i kthehemi sërish atmosferës së gëzueshme, në më së paku dy vite. Por ‘mendjet e bukura’ të botës, thonë se nuk ka gjasa. Pandemia pritet të ikë ngadalë dhe nëse vazhdohet në këtë situatë ku jemi me pak lehtësim masash shtrënguese, ashtu si jemi këshilluar, klubet më të vogla, ato në nivelin amator apo profesional do ta kenë shumë të vështirë të mbijetojnë për shkak të një rënie në tarifat e anëtarësimit, grantet kundrejt tyre nga qeverisja vendore dhe të ardhurat që do të bien prej sponsorizimeve.
Për më tepër, është e vështirë të shpjegohet në rrethanat aktuale ku jemi, që lojtarët të mund të prekin njëri-tjetrin nëse spektatorët nuk lejohen ta bëjnë një gjë të tillë. Një grup organizatash evropiane sapo kanë votuar për ta shtyrë kohën e mbylljes për sa kohë, spektatorët nuk lejohen të hyjnë në stadiume – madje edhe për klubet më të mëdha.
Ekipet më të mëdha do të jenë të vetmet që do të mbijetojnë në futboll. Dhe duket se ata janë të vendosur të gjejnë një model ekonomik që do t’i lejojë të vazhdojnë të luajnë – madje edhe pa spektatorë. Por ka ndërkohë shumë pyetje që lindin pas kësaj: në cilat stadiume ato do të jenë në gjendje të luajnë? A do të luajnë ata në prani spektatorësh? Dhe si këto ekipe do të jenë në gjendje të fitojnë prej aktiviteteve të tyre?
Këtë vit, skuadrat kanë humbur prej tarifave të transferimit dhe të ardhurave nga biletat. Edhe pse këto ekipe ende kanë një burim të ardhurash nga të drejtat e transmetimit, pritet që këto transmetime të paraqesin stadiume bosh. Është propozuar ndërkohë që ndërsa ndeshjet luhen spektatorët të qëndrojnë jashtë stadiumeve, megjithëse ishte dhe do të mbetet një gabim serioz për ta bërë këtë. Klubet më të mëdha profesioniste dhe subjektet mediatike që transmetojnë ndeshjet, të cilat varen nga ky burim i të ardhurave për të mbijetuar kanë nisur presionet në këtë drejtim.
Nga ana tjetër transmetimet e ndeshjeve duhet të jenë tërheqëse. Që kjo të ndodhë mikrofonat dhe kamerat do duhet të jenë më afër lojtarëve, të cilët tani do të dëgjohen ashtu si do dëgjohet zhurma e topit. Shikuesit do të kenë të drejtë për më shumë statistika. Kjo është ajo që Sky dhe Bundesliga kanë planifikuar tashmë për rihapjen e ligës së tyre që këtë të dielë. Spektatorët virtualë do të duartrokasin në fazat e ndryshme të lojës; kjo do të ndodhë nëse është e mundur dhe nëse koha e reagimit do të jetë e shpejtë. Pritet të regjistrohen edhe duartrokitjet të cilat do të planifikohen të përfshihen dhe kalibrohen me reagimet e spektatorëve në internet.
Por këto ndryshime do ta bëjnë futbollin të kthehet në një spektakël që pritet të jetë gjithnjë e më i ngjashëm me lojërat video, të cilat janë konkurrentët kryesorë të kanaleve sportive. Dhe këtu shtrohet pyetja që konsumatorët do të duhet t’i bëjnë vetes: do të duan ata të paguajnë për të parë lojtarët e vërtetë të luajnë në një stadium bosh (së shpejti në stadiume pa shkallë derisa janë të padobishme) me spektatorë virtualë, apo do të preferojnë më mirë të luajnë vetë duke përdorur gjithnjë e më shumë tastierat në lojën e tyre me sportistë virtualë që përfaqësojnë emrat e lojtarëve të mëdhenj?
Që këtej lojërat në video do të vuajnë nga pretendimet për kompensim nga ana e lojtarëve të vërtetë, të cilët deri tani që flasim kanë nisur nga kërkesa të tilla, veçanërisht për t’u paguar për përdorimin e imazhit të tyre në këto lojëra. Nëse ky skenar ia del të bëhet i vërtetë, vetëm ekipet në pronësi të individëve me të ardhura të mëdha do të mbijetojnë edhe për ca kohë, dhe ata do të luajnë në një ligë të mbyllur; të paktën për një kohë, pasi klubet në këtë kampionat nuk do të jenë në gjendje të zëvendësohen nga klube me kategori më të ulëta, dhe lojtarët nuk do të mund të zëvendësohen nga yjet në shkëlqim që merreshin prej klubeve më të vogla amatore, të cilat do të jenë zhdukur.
Me fjalë të tjera, nëse të drejtat tona për të luajtur dhe pwr tw parw spektakle futbolli rikthehen, futbolli do të mund tw jetojw gjendjen e tij normale. Por nëse këto të drejta nuk rikthehen, ato do të zhduken dhe do të zëvendësohen nga lojëra me video.
Po cfarë na tregon kjo për pjesën tjetër të botës? Nuk është aspak një gjë e mirë. Ekziston një rrezik i madh: bota do të vazhdojë të zhvendoset prej të gjallëve drejt artefakteve ndërsa linja që dallon njërën dhe tjetrën pritet të jetë gjithnjë e më e paqartë. Në të njëjtin kontekst duhet të kujtojmë se një nga pandemitë e para shumë më masive në epokën moderne është ajo që u lindi e mori përmasa në vitin 2005, prej personazheve të një loje të famshme në video, “World of Warcraft”.
Përgatiti M. Stafa
Top Channel