Natalie Poole erdhi më 19 mars në ishullin Kyun Pila në Mianmar, për të punuar për një muaj si vullnetare në ruajtjen e brigjeve koralore, por papritur ndodhi epidemia e koronavirusit.

35-vjeçarja nga Devon, është tashmë e bllokuar atje në një dramë të denjë për skenar filmash, pasi barka e vetme që do ta merrte nga ishulli u anullua kur Mianmari dhe Tailanda hynë në karantinë.

Gjatë dy muajve të fundit Natalie dhe katër vullnetarë të tjerë janë detyruar të mbijetojnë thuajse pa asnjë ndihmë, në një prej vendndodhjeve më të largëta në botë.

Natalie dhe miqtë e saj prisnin përsëri të shpëtoheshin më 5 maj, por mbetën sërish të zhgënyer kur barka u anullua prej zgjatjes së izolimit në Tailandë.

Tashmë instruktorja e zhytjes me bombula, shpreson që një tjetër barkë të vijë t’i shpëtojë këtë muaj.

Natalie thotë: “Gjëja më e vështirë është të mos di sesa do të mbetem e bllokuar këtu, ka momente të vështira, jemi një grup i vogël njerëzish që jetojmë në një situatë të mbyllur. Në sfond të mendjes kemi familjet e të afërmit, dhe kjo e shton pak tensionin. Përpiqemi të shtyjmë nga një ditë në tjetrën”.

Grupi thotë se po përpiqen të mbijetojnë duke përdorur çdo gjë për të ndërtuar kampin e tyre në pyll.

Në ishullin e tyre ka gjarpërinj, drerë, derra të egër, zvarranikë të mëdhenj. Ata duhet të kërkojnë për ushqimin e tyre, duke përdorur frutat tropikale si ‘yam’, ‘jackfruit’ ose perime të tjera.

Ata kanë pasur disa dërgesa sporadike ushqimi me barkë nga ishujt pranë tyre. Por grupi është i ndërgjegjshëm që duhet t’i bëjnë ato të zgjasin sa më shumë pasi nuk e dinë se kur mund të jetë ndihma e radhës. Shumë herë kanë mbetur të uritur.

Por megjithë dëshpërimin e tyre, grupi i dy grave e tre burrave nga Anglia, Hungaria, Kanadaja, Malajzia e Franca, nuk janë totalisht vetëm.

Rezorti Kyun Pila, është 15 minuta larg me barkë me rrema dhe ata marrin aty ujë, bëjnë dush dhe përdorin internetin.

Kjo ka qenë dhe shpëtimi për Natalie, e cila është e shqetësuar për babain e saj 78-vjeçar në Britani.

Grupi i bamirësisë mjedisore Ocean Quest Global, duhej të përshtatej shpejt me kohën e lirë që gjetën në ishull.

Ata kanë ndërtuar kampin e tyre nga mbetje plastike të sjella në breg, nga kallamë bambuje shishe apo thasë orizi.
Kanë krijuar disa mobilje të stilit ‘Robinson Crusoe’, kanë gërrmuar një pus dhe kanë vatër zjarri.

Për sfidat që lindin në këto rrethana Natalie shpjegon: “Zakonisht në programe si këto ka ndryshime të rregullta të grupeve të vullnetarëve dhe kjo i bënte gjërat të freskëta e interesante, por tani u bënë kohë që rrimë me njëri-tjetrin dhe gjërat nganjëherë tensionohen. Jetesa e përbashkët është një sfidë, pasi ke shumë pak hapësirë personale dhe duhet të bësh shumë kompromise. Humori negativ i dikujt prek shpejt të gjithë të tjerët”.

Teksa pranevra po kthehet në verë, Natalie dhe kolegët e saj përballen me sfidat e reja, si sezoni i shirave tropikalë.

Ata po punojnë për të ndërtuar një strehë ndaj shirave por shpresën më të madhe e kanë në ardhjen e një barke që t’i shpëtojë para nisjes së reshjeve.

Ajo thotë më tej: “Kam mësuar se sado e pavarur mendoja se isha, në momente vetmie dhe vështirësie, përsëri e humbas kontrollin dhe qetësinë. Sado miqësore që jam, kur jam e izoluar në një ishull me të huaj, bëhem e irritueshme dhe e pamotivuar”.

FOTO GALERI
1/6
Natalie është tashmë e bllokuar atje në një dramë të denjë për skenar filmash

Top Channel