Vijojnë protestat në Gjermani nga skeptikët dhe refuzuesit e koronavirusit

14/05/2020 21:05

Protestues kundër masave të izolimit prej koronavirusit në Gjermani u përleshën sot përsëri me policinë, duke pretenduar se shkaku i vërtetë i pandemisë janë ato që njihen si teori konspiracioni.

Një prej teorive thotë se përhapja e Covid-19 lidhet me një plan të qeverisë për të vendosur mikroçipe të kontrollit të mendjes te popullata.

Politikanët gjermanë kanë thënë se teoritë e konspiracionit kanë nisur të dëmtojnë përpjekjet për ndalimin e përhapjes së virusit, pas një serie protestash në fundjavë, shkruan Sun.

Demonstruesit sot mbanin postera të mbështetësve më të zjarrtë të masave të izolimit si milioneri Bill Gates, Angela Merkel dhe këshilltari i saj mjekësor Christian Drosten.

Protestat në Berlin, Munich e Stuttgart ishin relativisht të vogla, por në disa qytete të tjera kishte përleshje të dhunshme me autoritetet.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes fjalës së lirë dhe teorive të pabaza të urrejtjes.

“Gjermania ka një panoramë të lirë të medias që informon për të gjitha spektet e pandemisë. Pretendimet absurde apo të mbushura me urrejtje si ato për makinacione globale, janë diçka tjetër”,tha ai.

Në qytetin perëndimor Troisdorf, dy njerëz u arrestuan pas përleshjes me policinë sepse tentuan të hyjnë pa maska në supermarket.

Një punonjës i ministrisë së brendshme gjermane u shkarkua dje pasi e përshkroi Covid-19 si “jo më i rëndë se gripi i zakonshëm” në një dokument zyrtar.

Ministri i brendshëm i rajonit Thuringia, Georg Maier, tha për Der Spiegel: “Idea se pandemia është krijuar qëllimisht për të kontrolluar popullin, dhe se autorë të saj janë Bill Gates apo të tjera forca të errëta, ka hyrë thellë në shoqëri”.

FOTO GALERI
4/6
Gruaja therret duke demonstruar ne sheshin Rosa Luxemburg Platz

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA