Dymbëdhjetë pacientë të prekur nga koronavirusi, janë të shtruar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në njoftimin e QKUK-së thuhet se tetë pacientë janë në gjendje stabël, ndërsa katër të tjerë janë në trajtim me oksigjen dhe në përkujdes intensiv. Prej tyre, dy pacientë janë në gjendje më të rënduar dhe njëri prej tyre është i shtruar në reanimacion.

Dy pacientë të tjerë ndërkohë do të kthehen në shtëpi, pasi kanë rezultuar negativë në testimet e fundit. Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 919 raste me koronavirus. Prej tyre, 671 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë humbur jetën.

Mënyra se si u menaxhua kriza e koronavirusit është vlerësuar ndërkohë në mbledhjen e qeverisë në detyrë, ku Albin Kurti bëri një bilanc të 100 ditëshit të tij në detyrë dhe renditi sukseset e arritura.

Ndërkohë, KKosova vazhdon të punojë për kthimin e shtetasve kosovarë të bllokuar në vende të tjera si pasojë e pandemisë. Ministri në detyrë i punëve të jashtme dhe diasporës, Glauk Konjufca, tha se edhe 740 kosovarë të tjerë do të kthehen së shpejti në shtëpitë e tyre.

Deri më tani, në Kosovë janë kthyer 1500 persona të bllokuar në shtete të ndryshme. Ata janë vendosur në kthim në karantinën që ndodhet në qendrën e studentëve në Prishtinë dhe kthimi i tyre, sipas Konjufcës, po bëhet bazuar në rekomandimet e ministrisë së shëndetësisë dhe institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Top Channel