Gjashtë muaj pas tërmetit të 26 nëntorit bashkia e Durrësit i ka hapur dritën jeshile procesit të kompensimit të familjeve që iu dëmtuan banesat në nivelet DS1-DS3.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako e cila është dhe eksperte e fushës shpjegon për TCH se si do të përfitojnë qytetarët e dëmtuar nga granti i riparimeve, në varësi të nivelit të dëmit që ka pësuar banesa e tyre.

“Durrësi është qyteti më i dëmtuar nga tërmeti i datës 26 dhe nga Këshilli Bashkiak u miratua sistemi i vlerës për banorët që kanë aplikuar në “Shtëpia ime” dhe ne kemi punuar me metodologjinë e vlerësimit në terren të dëmeve reale… duke hartuar preventivat tip dhe nxjerrë një vlerë mesatare. Nga përvoja rezulton se dëmet janë nga kati 0 deri në katin 5, ndërsa në katet e sipërme dëmi ulet në mënyrë të ndjeshme prandaj është vlerësuar që vlera e preventivit të jepet 100% deri në katin e 5-të dhe më pak për katet e tjera. Kjo bëhet për të mbrojtur fondet publike. Duhet që gjithsecili të marrë vlerën që i takon. Vlerat variojnë nga m2 që posedojnë banorët”, shprehet Emirjana Sako, Kryetare e Bashkisë Durrës.

– Vlera mesatare e masës së grantit për nivelin e dëmit DS 1= 750 lekë/ m2.

– Vlera mes. e masës së grantit për nivelin DS 2= 2000 lekë/ m2.

– Vlera mes. e masës së grantit për nivelin DS 3= 4000 lekë/ m2.

Po kur do të nisë procesi i shpërndarjes së vlerës së kompensimit të dëmit dhe si do të veprohet më tej?

“Brenda këtij muaji do të miratojmë listën përfituese dhe në bazë të saj do të presim përgjigjen nga hipoteka që përfituesit nuk zotërojnë banesa të tjera dhe më pas me lidhjen e marrëveshjes me bashkinë Durrës për të kaluar fondin. Sigurisht që do të vijojmë dhe me proceset e tjera, po për objektet DS1 nuk ka nevojë për leje, po me një deklaratë punimesh qytetarët mund t’i bëjnë vetë ato. Për DS2 dhe DS3 duhet të kontaktojnë me një firmë zbatuese dhe të aplikojnë për leje. Megjithatë po punojmë për ta lehtësuar sa më shumë qytetarin dhe po përpiqemi të koordinojmë si me ndërtuesit e pallateve me firmat e zbatimit. Qytetarët që nuk mund t’i kryejnë vetë punimet do t’i orientojmë drejt firmave që kanë ndërtuar pallatet e tyre, që të kryejnë punimet përmes tyre ose të zgjedhin vetë kompanitë.”

Kryebashkiakja e Durrësit thekson se jo çdokush që ka aplikuar në aplikacionin “Shtëpia ime” do të përfitojë nga granti i riparimit, ndaj do verifikohet dokumentacioni për secilin rast. Me marrjen e fondit do të nisë dhe shkëputja nga përfitimi i bonusit të qirasë.

“Nëse rezulton se ke 2 apo 3 banesa nuk je përfitues. Qytetarët do marrin fondet dhe do t’i marrin përsipër vetë riparimet. Do të fillojmë dhe shkëputjen nga bonusi, pasi bonusi është një mbështetje përsa kohë ti nuk përdor banesën tënde…Pas miratimit të listës do të bëjmë kërkesë në qeveri për alokimin e fondeve. Pas 5-6 mijë familjeve të para do t’i kërkojmë qeverisë dhe një mundësi të dytë, pas shqyrtimit të dokumentave.” /Vali Qyrfyci/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA