Covid-19/ Gjermania do të nisë lehtësimin e masave në kufi nga 15 qershori

13/05/2020 14:45

Gjermania do të nisë lehtësimin e masave në kufi nga 15 qershori.

Të shtunën, fillon zbutja e tyre me të paktën tre vende, Francën, Zvicrën dhe Austrinë dhe shpresat e ekzekutivit gjerman janë që në mesin e muajit të ardhshëm, ato të çelen plotësisht. Mediat vendase thonë se kontrollet kufitare përgjatë kësaj kohe do të jenë në fuqi, por sipas tyre do të zhvillohen vetëm “verifikime të rastësishme”. Përdorimi i pikave të kontrollit do të duhet të lehtësojë bllokimet e trafikut për udhëtarët përtej kufirit, të cilëve u është lejuar kalimi.

Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer megjithatë, tërhoqi vemendjen se kufijtë do të mbyllen përsëri nëse situata shëndetësore përkeqesohet. Objektivi i qartë nga sa deklaroi ai, është që nga mesi i qershorit, të ketë liri lëvizjeje në Europë.

Planifikohet po kështu hapja e shpejtë e kufirit me Luksemburgun dhe Danimarkën. Më herët, Komisioneri Europian për Çështjet Ekonomike Paolo Gentiloni deklaroi se këtë vit, sezoni i pushimeve verore, do të hapet edhe pse me kujdes. “ Patjetër që do të kemi një sezon turistik gjatë verës, vetëm se me masa dhe kufizime të sigurisë,” i tha ai gazetës Süddeutsche Zeitung. Ideja e komisionit është që kufizimet kufitare më së pari të hiqen mes zonave që kanë më pak raste, duke shmangur diskriminimin në bazë kombësie. KE-ja gjithashtu do të rekomandojë masa mbrojtëse të tilla si distancimin fizik në hotele, restorante dhe transport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA