I parashikuar të mbahej në kryeqytetin kroat, samiti i Zagrebit u zhvillua online për shkak të pandemisë së koronavirusit që ka paralizuar Europën e pjesë të tjera të botës, e që pashmangshmërisht, rrëmbeu edhe vëmendjen e takimit të rëndësishëm. Por jo aq sa ta devijonte atë plotësisht nga tema e marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor, ku BE-ja e sheh veten si partnerin më të rëndësishëm.
Liderët e bllokut rikonfirmuan në këtë samit në mënyrë të qartë perspektivën europiane të rajonit. Megjithatë, siç theksoi presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel gjatë konferencës për shtyp që pasoi takimin virtual të krerëve të BE-së, është e rëndësishme të vazhdohet implementimi i reformave, sundimi i ligjit, vlerat demokratike dhe lufta kundër korrupsionit.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se : “Partnerët e Ballkanit Perëndimor përsëritën angazhimin e tyre drejt perspektivës evropiane si zgjedhja e tyre strategjike e palëkundur. Besueshmëria e këtij angazhimi varet edhe nga komunikimi i qartë me publikun dhe nga zbatimi i reformave të nevojshme. Shkalla e krizës së koronavirusit kërkon unitetin dhe solidaritetin tonë.
Bashkimi Europian qëndron përkrah partnerëve të tij të Ballkanit Perëndimor dhe mbetet i angazhuar për të mbështetur aktivisht përpjekjet e tyre në luftën ndaj epidemisë së koronavirusit dhe pasojave të saj mbi shoqëritë dhe ekonomitë, ndërsa kujtohet sesi BE-ja mobilizoi me shpejtësi të madhe një paketë prej 3,3 miliardë euro në ndihmë të Ballkanit Perëndimor.
Pyetjes ndërkohë nëse është koha të shpejtohet procesi i anëtarësimit për Shqipërine dhe Maqedoninë e Veriut, shefja e KE-së, Ursula von der Leyen iu përgjigj duke thënë se “ procesi është mjaft kompleks dhe ka shumë tema që duhe diskutuar në lidhje me kapitujt e negocjatave dhe shpejtimi i procesit nuk do të ishte rruga më e mirë”, megjithatë shtoi se metodologjia e re e zgjerimit mund të ndihmojë në këtë drejtim.
Top Channel