OKB kërkon 89 milionë dollarë për të zhvendosurit dhe refugjatët jemenas

28/04/2020 16:58

Të zhvendosurit përballen me kërcënim të dyfishtë, koronavirusi i ri (COVID-19) dhe shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet.

Agjencia e Refugjatëve e OKB-së (UNHCR) i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë të nevojshme për gati një milion civilë të zhvendosur dhe refugjatë në Jemen, raporton Anadolu Agency (AA).

Të zhvendosurit përballen me kërcënim të dyfishtë, koronavirusi i ri (COVID-19) dhe shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet.

Zëdhënësja e UNHCR-së, Shabia Mantoo, u tha gazetarëve në një video-brifing të OKB-së se personat e zhvendosur dhe refugjatët në Jemen rrezikojnë të mbeten pa strehim dhe se është e nevojshmë sasi jetike e parave për furnizime themelore si ushqimi dhe ilaçet.

“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar thellësisht se komunitetet e zhvendosura dhe mikpritësit e tyre tani janë në një rrezik të shtuar, duke pasur parasysh kushtet e tyre të rënda të jetesës dhe ato sanitare, dhe rënien e përgjithshme të objekteve lokale të shëndetit”, tha Mantoo.

“Rasti i parë i konfirmuar me COVID-19 u identifikua në provincën jugore Hadramaut më 10 Prill”, shtoi ajo.

Ajo vuri në dukje se Jemeni tashmë konsiderohet të jetë “kriza më e madhe humanitare në botë”.

Mantoo tha se UNHCR kërkon urgjentisht 89,4 milionë dollarë për të siguruar mbrojtje dhe ndihmë jetëshpëtuese për familjet e zhvendosura brenda vendit, refugjatët, azilkërkuesit dhe komunitetet pritëse.

“Kjo ndihmë është urgjente, pasi këto grupe janë më të rrezikuarit nga kërcënimi i COVID-19, i cili mund të ketë pasoja të rënda nëse agjencitë e ndihmës nuk japin mbështetjen e duhur”, tha ajo.

Ndërkohë, përmbytjet kërcënojnë vendet si Aden, Abyan, Lahj, Marib, Sana dhe Amanat Al Asemah.

UNHCR vlerësoi se më shumë se 3,6 milionë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në Jemen që nga fillimi i konfliktit në vitin 2015.

Agjencia tha se vetëm Siria, Kolumbia dhe Republika Demokratike e Kongos kanë zhvendosje më të madhe të brendshme të shkaktuar nga konflikti.

Raporti vjetor për zhvendosjet e brendshme globale i publikuar sot nga Qendra e Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme (IDMC) tregoi se konflikti dhe dhuna kanë shpërngulur gati 400.000 njerëz vetëm në vitin 2019./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA