Nga Alda Bardhyli

“Alda mund të pimë një kafe e të bisedojmë për letërsinë? Kur të krijohet mundësia. Mundësisht me kohë me diell e nga ora 11”.
Më 18 janar të vitit 2015 ky e-mail vjen në adresën time elektronike nga Rikard Ljarja. E kisha takuar disa herë në aktivitete të ndryshme të kulturës, por asnjëherë më parë nuk kisha ndarë me të biseda. Pak ditë më pas, në një nga baret pranë shtëpisë së tij në Myslym Shyri, ai do të zbulonte para meje përfytyrime të një ndjenje të paharrueshme lirie që ia jepte shkrimi. Do të mjaftonin vetëm disa minuta që imazhi i një aktori që i kishte dhënë jetë kinemasë shqiptare që në fillim të viteve 70-të, do të shëndrrohej në një tjetër imazh, përmes së cilit, e pash deri mbasditen e djeshme kur iku përgjithmonë, atë të shkrimtarit.

Ndoshta shkrimi ishte drama e vërtetë e tij. Fije të pafundme historish që e ngushtonin nga brenda. “Fjalë, fjalë, fjalë që ngatërrohen me njëra-tjetrën dhe që krijojnë… Ç’farë s’krijojnë: Dashuri, hidhërim, dituri, urrejtje, pranverë, lakmi, intrigë, kënaqësi, poshtërim , makutëri, sende…” përpiqej të shpjegonte.

Të gjithë e njohën si Rikardin aktor, regjisor, skenarist, por ai nuk donte të fliste për asnjë nga këto, para meje shfaqte gjithnjë Rikardin shkrimtar.

Që kur ishte ende fëmijë, i joshur nga leximet e së ëmës nuk kishte dashur gjë tjetër veçse të shkruante. “O bëhem shkrimtar, o vdes!”, thoshte. Sa e sa herë kam përfytyruar nënën e tij, një grua të pashme shkodrane e veshur me një fustan me lule, që mban në duar një libër. “Ajo lexonte me zë”, tregonte Rikardi. Ai nuk e harronte udhëtimin nga Shkodra në Tiranë në pritje të degës së studimit, dhe trishtimin që e pllakosi gjatë që nuk mundi të studionte letërsi.

Në Shqipërinë komuniste ai nuk mund ti mbante ti bënte të dyja dhe shkrimtarin dhe aktorin. Me humor tregonte se nuk mund të merrte pagën në dy ndërmarrje dhe në Kinostodio e në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Ndoshta dhjetëra skenare që ai shkroi, një pjesë të cilëve ishte dhe regjisor ishin librat që do kishte dashur të shkruante. “Të shkruarit letërsi nuk ka shpjegim të saktë sipas meje. Është një mister, është një çudi”, thoshte. Për të shkrimi ishte një sëmundje. “Libri çfarëdo teme të ketë ka në themel “simptomat e së sëmurit. Unë shkruaj si miliona njerëz në botë, që kanë shkruar dje, shkruajnë sot, e edhe nesër do të vazhdojnë të shkruajnë. Nuk dua të marr ilaçe, e nuk dua të më bëjnë “kirurgji plastike”. Meqë thashë sëmundje, dua të jem ashtu siç jam në të vërtetë. Me të tëra gabimet. Pa më zbukuruar, korrigjuar, redaktuar, korrektuar e ku ta di unë…”. Po Rikardi nuk i pëlqente ta redaktonin.
Gjatë kohës që punonim për romanin e tij të fundit “Josifopedia” botim i UET PRESS, e gjej të shpërfytyruar si rrallë më parë teksa diskutonte me duar me korrektoren e botimeve.

Ajo përpiqej ti shpjegonte përshtatjet që i kishte bërë disa fjalëve sipas drejtshkrimit, ndërsa ai ulërinte. “Nuk mund të ma ndryshosh fjalën”, i thoshte.

U deshën vetëm disa minuta që ti jepja të drejtë (edhe pse nuk kishte) që të qetësohej. Asgjë nuk mund ta shqetësonte më shumë se libri. Diskutimet e përsëritura për nevojën e rishikimit të tekstit me të i kisha të humbura. Kishte ligjet e tij të shkrimit.

Kërkonte të përfshihej kudo. Nga xhepi i xhaketës nxjerr një zarf ku kishte futur një fotografi. Ishte një pikturë, autoportret i tij të cilin e kishte realizuar vetë. Ky autoportret do të bëhej dhe kopertina e romanit. Sot më feks e bukur në kujtesë ajo paradite pune, ku pasi e kuptoi që na
kishte trazuar mori mbi tryezë një libër me poezi ku gjeti Re me Pantollona të Majakovskit dhe nisi të ma lexojë.

Sa e sa herë e gjeja të më priste në kafenë e Universitetit Europian të Tiranës teksa punonim për këtë libër. Ndoshta një nga momentet më të bukura në jetën e një libri, përtej procesit të shkrimit është dhe realizimi i tij. Një proces delikat, ku autorët shpesh kthehen në krijesa kaq të brishta përballë padurimit. Josifopedia ishte libri i tij i zemrës, i cili na çon pas në kohë në vitet 50-të. Në fakt historitë në librat e tij vinin larg nga historia. “Kishte treqind vjet që kishte hi Turqia në krejt gadishullin e Ballkanit”, nis ai tregonin Hodo Beg Gjini. Ashtu si tek “Histori qensh” i shkruar dy vjet pas rënies së diktaturës.

Ky është vetëm një rrëfim i shkurtër për Rikardin që nuk e njohim, por që ai e donte aq shumë. Rikardin shkrimtar.

Top Channel