Një grup i vogël punonjësish të sektorit të shëndetësisë, i është kundërvënë një proteste në Kolorado, që kërkonte rihapjen e shtetit dhe zbutjen e masave që kanë si qëllim ngadalësimin e përhapjes së koronavirusit.
Qindra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Kolorados, Denver, duke mbajtur në duar flamuj dhe pankarta ndërsa shumë makina u vendosën në radhë duke u rënë borive. Ndërkohë, fotot dhe videot nga protesta, tregonin edhe një numër të vogël punonjësish me veshje spitalore dhe maska mbrojtëse, që qëndronin në një kryqëzim dhe bllokonin makinat si një kundër protestë.
Në një video, shihej një protestuese që zgjatej nga dritarja e makinës dhe i thërriste punonjësve të shëndetësisë. “Kjo është tokë e njerëzve të lirë. Shkoni në kinë nëse doni komunizmin”. Vetë punonjësi i shëndetësisë duket se nuk reagon por të tjerë njerëz dëgjohen të bërtasin në sfond. Kolorado në SHBA, ka raportuar 9730 raste koronavirusi dhe 420 viktima.
Guvernatori i shtetit ka lëshuar një urdhër për të qëndruar në shtëpi që do të qëndrojë në fuqi deri më 26 prill. Protestuesit në të gjithë vendin ndërkohë, kanë mbajtur tubime kundër masave dhe ankohen se ato cenojnë liritë e tyre personale dhe kërcënojnë të shkatërrojnë mënyrën e tyre të jetesës. Më shumë se 97 për qind e popullatës amerikane është nën një formë kufizimi ose e izoluar në shtëpi.
Top Channel