Në studion e emisionit “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Flori Gjini dhe Erjona Rusi, ishin të ftuar, kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit, Bledi Çomo, dhe kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha.

Prej më shumë se një muaji, koronavirusi ka kapluar dhe vendin tonë, por Gjirokastra, Përmeti dhe Pogradeci, janë ndër qytet që deri më tani nuk kanë konfirmuar asnjë rast pozitiv me COVID-19. Nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit, Bledi Çomo, e shikon këtë fakt, si rezultat të masave të marra nga pushteti lokal, në bashkëpunim me atë qendror. Por edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve në të tilla vlen shumë, sipas Çomos.

“Bashkia e Pogradecit ka marrë masat e ndërmarra nga qeveria qendrore. Në tregjet e fruta-perimeve kemi vendosur vija distancuese, më pas nuk e kemi pasur të vështirë të ndjekim masat. Kur u konstatua rasti i parë në Tiranë, erdhën një dyndje e madhe në Pogradec dhe Korçë. Të gjithë këta banorë u kthyen në shtëpinë e tyre, pasi kryeministri Rama e kërkoi diçka të tillë. Ka disa banorë që jetojnë mes Tiranës dhe Pogradecit, të cilët kanë preferuar Pogradecin në këto momente. Pikat doganore kanë pasur hyrje. Ka 63 të karantinuar në Pogradec. Ne kontrollojmë edhe në pikën doganore, shpresojmë që ta kalojmë pa shumë raste këtë situatë”, tha Çomo.

Nga krahu tjetër kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi, shprehet se kultura e qytetarëve, ka luajtur një rol thelbësor në luftën ndaj virusit korona. Për këtë ai bën një krahasim me vitin 1997. “Në vitin e mbrapshtë të 97, banorët e këtij qyteti në masën 99%, shkonin të paguanin dritat dhe ujin. Qytetarët edhe në këtë situatë po ndjekin masat. Po vazhduam kështu do të dalim fitimtarë nga kjo luftë”, tha Golemi.

“Patjetër institucioni i Gjirokastrës ka marrë masa funksionale. Kemi bërë dezinfektimin e ambjenteve në qytet, si edhe kemi bërë me vija distancat mes qytetarëve, në tregje. Kultura gjirokastrite, është një faktor i rëndësishëm në këtë gjë. Unë dua të kujtoj këtu vitin e mbrapshtë të 97. Banorët e këtij qyteti në masën 99% paguanin dritat dhe ujin. Po zbatojnë masat që do të marrim, dhe po vazhduam kështu do të dalim fitimtarë nga kjo luftë. Në Gjirokastër me 54 mijë banorë, qytetaria dhe zbatimi me përpikmëri i masave që kemi vendosur, po na nxjerr fitues deri në këtë momente. Duam apo s’duam bashkia Gjirokastër është një qytet kufitar. Në këtë moment hoteleria në rrugët kryesore të qytetit, po funksionon si karantinë për emigrantët”, u shpreh Flamur Golemi.

Gjithashtu, edhe kryebashkiakja e Përmetit Alma Hoxha, konfirmon se mos pasja e asnjë rasti me koronavirus në qytet, ka të bëjë me kulturën përmetare dhe sipas saj kjo nuk është një rastësi. “Mendoj që përmetarët kanë respektuar të gjitha rregullat e vendosura, ndaj nuk kemi asnjë rast të prekur, kjo nuk është një rastësi”, tha kryebashkiakja.

“Përmeti nuk ka asnjë të prekur. Kjo nuk është rastësi. Përveç masave që janë marrë nga bashkia, kjo ka të bëj dhe me komunitetin përmetar. Mendoj që përmetarët kanë respektuar të gjitha rregullat e vendosura, krahas kësaj janë dhe rregullat e vendosura nga bashkia, kjo nuk është rastësi”, tha Hoxha.

Top Channel