Një ngjarje që bëri bujë para se të shpërthente pandemia në vendin tonë ishte mbyllja e një shkolle private në kryeqytet për të cilën u hapën edhe hetime për përpahapje paniku.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se prokurori ka shpallur mos fillimin e hetimeve për këtë çështje, pasi siç ai argumenton shkolla kishte kërkuar mbylljen për qëllime të mira dhe nuk ka elementë të veprës penale.
Në dokumentin e siguruar nga Anila Hoxha, prokuroi argumenton se shkolla ka pasur qëllim të mirë me pezullimin e procesit mësimor dhe jo të përhapte panik.
“Njoftimi për mbylljen e shkollës referuar përhapjes së coronavirusit, nuk është i rremë, pasi situata në shtetin në të cilin drejtuesit e kësaj shkolle i janë referuar , dhe jo vetëm ka qenë në përhapje të gjerë.
Gjithashtu dhe qëllimi i këtij vendimi nga ana e drejtuesve të kësaj shkolle nuk ka qenë përhapja e panikut por ndërgjegjësimi i asaj mase prindërish, fëmijët e të cilëve studiojnë në këto ambiente për të shmangur në të ardhmen pasojat e padëshiruara si dhe tek e fundit dhe përgjegjësinë e tyre si institucion”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Top Channel.
Në argumentimin e prokurorit referuar edhe vendimit të ministres Besa Shahini për heqjen e licensës ndaj shkollës, shpjegimi është si në vijim: “Në këtë kuptim siç edhe u theksua më lart ligjshmëria ose jo e atij vendimi të marrë nga administratori i institucionit mbetet gjithësesi në diskrecion të ministrit përkatës dhe nuk mund të jetë objekt hetimi, ashtu sikurse dhe marrëdhënia e tyre administrative që lidhet me ligjshmërinë apo jo të urdhrit të vet ministres për heqjen e licensës”.
Top Channel