Një qytetar nga Ferizaj u bë viktima e 12-të e koronavirusit në Kosovë.

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njofton se 70 vjeçari ndërroi jetë pas disa ditësh trajtimi. Edhe ai duket vuante dhe nga sëmundje të tjera ekzistuese. Në bazë të të dhënave të fundit, në Kosovë janë gjithsej 449 raste të të infektuarve me koronavirus e 79 të shëruar.

Së fundi, nga Covid 19 në vend rezulton të jenë prekur edhe tre gjinekologë dhe një mami që punojnë në QKUK. Edhe më herët ka pasur raportime për disa mjekësh dhe infermierësh të prekur nga sëmundja teksa ishin në krye të detyrës.

Koronavirusi ndërkohë raportohet të ketë shpërthyer në Bogovinë të Tetovës. Sipas Alsat-M, 10 pacientë të infektuar së fundi atje e kanë marrë virusin nga një mjek familjeje. 156 persona janë në vetëizolim. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe e cilësoi Bogovinën si vatrën e re të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.

Vendi fqinj shënon deri tani 46 vdekje nga kjo sëmundje e mbi 1000 të prekur e ka shpallur 30 ditë gjendje të jashtëzakonshme. Greqia ndërkohë konsiderohet se po vazhdon ta menaxhojë mirë kurbën e sëmundjes; fqinji ynë me më shumë se 10 milionë banorë ka 105 vdekje e 2.205 raste. Sipas think tankut Bridge, Greqia shihet si një prej vendeve europiane më të suksesshme në rrafshimin e “ trajektores” së infektimeve, dhe një nga arsyet mendohet se ka qenë marrja e masave të rrepta për frenimin e virusit që në fillesat e tij.

Top Channel