Pas kompanive dhe qytetarëve privatë, edhe politikanët kanë zbritur në shesh për të ndihmuar vendet e tyre të përballojnë emergjencën e koronavirusit.
Në Japoni, Zelandën e re, Greqi dhe Bullgari, parlamentarë dhe ministra kanë vendosur të reduktojnë pagat e tyre, tërësisht ose pjesërisht, për ti përdorur ato para në luftën kundër Covid 19. Në Japoni, përballë përpjekjeve të mbështetura nga të gjithë, kundër pandemisë, parlamentarët japonezë kanë vendosur të heqin dorë nga 20 për qind e pagës së tyre për një vit. Në bazë të ligjit aktual, një përfaqësues i zgjedhur në një nga dy dhomat e legjislativit japonez, merr një pagë prej 1294 mijë jenësh në muaj, ose pak më shumë se 11 mijë euro.
Pas propozimit të partisë konservatore në pushtet, edhe politikanët bullgarë kanë vendosur të heqin dorë nga pagat e tyre dhe ti kanalizojnë ato drejt sistemit shëndetësor kombëtar, e bëhet fjalë për një total prej rreth 740 mijë eurosh. Për dy muajt e ardhshëm, edhe parlamentarët grekë të demokracisë së re do të heqin dorë nga gjysma e pagave të tyre.
“Jam i sigurt se edhe partitë e tjera do të bëjnë të njëjtën gjë – ka thënë kryeministri Qiriako Micotaqis. Bota jonë politike duhet të jetë në linjë të parë për sa i takon solidaritetit – tha ai. Reduktim në masën 20 për qind edhe për ministrat Neozelandezë, por për gjashtë muaj. Liderja laburiste, Jacinda Ardern, merr rreth 470 mijë dollarë neozelandezë ose 260 mijë euro në vit, e kjo do të thotë që ky gjest do ti kushtojë asaj 52 mijë euro.
Kjo, në vetvete nuk do të prekë situatën financiare të përgjithshme por është një mënyrë për të ndihmuar sadopak.
Liderja e qendrës së majtë tha sidoqoftë se reduktimi i pagës nuk do të implementohej në të gjithë shërbimin publik, pra jo tek punonjësit e domosdoshëm, mjekë, infermierë, policë etj. Zelanda e re është në mesin e javës së katërt të izolimit nga Covid 19 që ka paralizuar ekonominë, me mijëra vende të humbura të punës. Modeli ekonomik i prezantuar nga departamenti i thesarit këtë javë, parashikonte se papunësia do të shkonte në rreth 26 për qind në skenarin më të keq.
Numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Spanjë është rritur ndërkohë me rreth 5100 në 24 orë, për të shkuar në 177633, rritja më e madhe në një ditë të vetme e infektimeve në pesë ditë. Por në anën tjetër, numri i viktimave ka rënë ndjeshëm, me 523 viktima të reja të regjistruara. Më shumë se 18500 vetë kanë humbur jetën deri më tani në Spanjë si pasojë e koronavirusit. Shifrat e reja u publikuan ndërsa kryeministri Pedro Sanchez tha para parlamentit se jeta nuk do të mund të kthehej në normalitet deri sa një vaksinë të gjendej. Më herët këtë javë, Spanja nisi të zbuste disa kufizime, me prodhimin dhe ndërtimin mes sektorëve që u lejuan të rinisnin punën, por nën masa të rrepta sigurie.
Top Channel