Më 8 prill, revista e njohur shkencore ndërkombëtare “PNAS” botoi artikullin me titull “Analizë e rrjetit filogjenetik të gjenomeve të SARS-CoV-2”. Artikulli është shkruar nga studiues britanikë e gjermanë dhe autori i parë i tij është dr. Peter Forster nga Universiteti i Kembrixhit.
Ditët e fundit, CMG-ja zhvilloi një intervistë me dr. Peter Forster. Forster-i tha se qëllimi i këtij studimi është përcaktimi i “tipit origjinal të virusit”.
Për arsye të ndryshimit të shpejtë, me metodat tradicionale është shumë e vështirë të gjendet “pema familjare” e COVID19. Studiuesit përdorën teknikën e “algoritmit të rrjetit matematik”, që është shfrytëzuar për të rikrijuar aktivitetin e njerëzve parahistorikë. Kjo është hera e parë që përdoret kjo metodë për të gjurmuar rrugën e infektimit të koronavirusit.
Studiuesit analizuan të dhënat e 160 gjenomeve të koronavirusit (SARS-Cov-2) nga vende të ndryshme të botës. Ata zbuluan tre variante që dallonin nga ndryshimet e aminoacideve, duke i quajtur ato si tipi A, tipi B dhe tipi C.
Tipi A është afër me koronavirusin e gjetur te lakuriqët e natës e pangolinët dhe është tipi origjinal i virusit. Tipi B ka ardhur nga tipi A, ndërsa tipi C nga tipi B. Përveç këtyre, përndarja e tre tipave ka dallime të mëdha. Tipi A dhe tipi C gjenden kryesisht te europianët dhe amerikanët, ndërsa tipi B është më i zakonshëm në Azinë Lindore.
Forster-i tha se gjenomet e para që u gjetën gjatë epidemisë së rëndë në Wuhan ishin të tipit B. Studiuesit menduan gabimisht se B është tipi origjinal i virusit, por në fakt kjo nuk është e vërtetë, sepse A është tipi orgjinal. B u bë tipi kryesor i virusit gjatë periudhës së shpërthimit të epidemisë në Wuhan dhe më vonë tipi B ndryshoi në tipin C. Sipas studimit, pothuaj 50 % e mostrave të infektimit nga tipi A ishin nga jashtë Azisë Lindore, kryesisht në ShBA dhe Australi, dhe dy e treta e mostrave nga ShBA-ja ishin infektime me tipin A. Përveç kësaj, ka pasur raste infektimi me tipin A në Wuhan, por shumë pak. Tipi B gjendet kryesisht në Kinë dhe Azinë Lindore. Jashtë Azisë, tipi B ka pësuar ndryshim.
Tipi C është i përhapur kryesisht në Europë, por është zbuluar edhe në ShBA dhe Brazil. Në mostrat nga Kina kontinentale nuk është gjetur tipi C, po në Hong-Kong, Tajvan, Singapor e Korenë e Jugut është gjetur ky tip.
Forster-i u shpreh se, sipas studimit, ka mundësi që rasti i parë i infektimit të ketë ndodhur pas kalimit të koronavirusit nga lakuriqët e natës te njeriu në periudhën nga 13 shtator deri më 7 dhjetor të vitit 2019. Prandaj, gjenomet e virusit të marra nga Wuhan-i më 24 dhjetor të vitit 2019 s’mund të na tregojnë saktësisht burimin e sëmundjes.
Top Channel