E vetme, me dy fëmijë me aftësi të kufizuara, që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm, Bukurie Murrizi thotë se karantina e ka izoluar më shumë në fatkeqësinë e saj.

Ajo jeton në banesat sociale të Durrësit dhe djemtë nuk duhet t’i lërë vetëm për asnjë çast. Gjendja e tyre shëndetësore nuk ia lejon këtë, po pamundësia ekonomike dhe sociale e rëndojnë edhe më tej situatën e tyre.

“Sot dola për herë të parë se nuk kisha asgjë për fëmijët. As për të ngrënë. As ndihma bashkia s’më ka sjellë. As panolina dhe ato i kam marrë borxh. M’i ka dhënë komshia. Unë jam e vetme me dy fëmijë invalidë, njërin, Xhoin, hidrocefalik dhe Henrin autik të shkallës së parë. Prandaj dua ndihmë. Kam nevojë shumë që dhe unë të kujdesem për fëmijët e mi”.

Ndjehet e braktisur pasi dhe ndihma ushqimore që i kanë dhënë është e papërfillshme për nevojat e familjes.

Të ardhurat e vetme që ka i siguron nga pagesa e vogël e kujdestarisë që merr për fëmijët.

“Nuk më kanë ndihmuar. Vetëm njëherë më prunë 2 kg oriz e 2 sheqer. As panolina, as ilaçe. Asgjë. As lekë në telefonon nuk kisha se unë jam e vetme. Drita e ujë i paguaj rregullisht, po asnjë ndihmë s’më ka dhënë shteti”.

Më shumë se kurrë, kërkon mbështetje për të lehtësuar traumat e shumta me të cilat jeta e ka përballur që në lindjen e djemve të saj, më pas largimin e të shoqit. Tërmeti i nëntorit dhe frika për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve të saj nga koronavirusi e mundojnë çdo çast. Pasiguri i jep dhe vonesa në kalimin e aktmarrëveshjes së qirasë me bashkinë për apartamentin social në emrin e saj, pas divorcit.

Buzëqeshjet e Henrit dhe Xhoit janë të vetmet gëzime dhe burim force në jetën e saj.
Zien ujin e rubinetit për të pirë fëmijët, po fatura e energjisë elektrike rritet. E lodhur, po jo e dorëzuar, Bukuria kërkon ndihmë nga strukturat shtetërore dhe shoqëria, për të lehtësuar sadopak jetën e saj dhe të fëmijëve.

“Jam duke e përballur me shumë vështirësi këtë situatë. Edhe ujë nuk kisha. E kam zier ujin, që e paguaj 30 mijë lekë. Edhe dritat më vijnë 80 mijë lekë dhe i paguaj. Ndaj dola. Prandaj i lutem shumë dhe i kërkoj ndihmë z. Kryeministër, kryetarit të bashkisë që të marrin parasysh dhe këto shtresa se unë nuk kam sit ë dal, as të marr në telefon. Jam e vetme nuk kam ku t’i lë fëmijët. Të më vdesë fëmija?! Njeri nuk kam”.

Top Channel