SHBA planifikon reduktim të madh të forcave në NATO/ Avionë luftarakë, anije dhe nëndetëse pritet të tërhiqen nga Europa

12/06/2026 10:47

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë një ulje të konsiderueshme të numrit të avionëve luftarakë dhe anijeve detare të angazhuara në operacionet e NATO në Europë, sipas raportimeve të New York Times.

Sipas planit të përmendur, pritet një reduktim i flotës ajrore amerikane të vendosur në Europë, përfshirë avionët F-16 dhe F-15E, nga rreth 150 në 100 njësi. Po ashtu, numri i avionëve zbulues do të ulet nga 26 në 15, ndërsa të tetë avionët cisternë pritet të tërhiqen.

Dokumenti, i cituar nga gazeta amerikane dhe dy zyrtarë të lartë europianë, parashikon gjithashtu zhvendosjen e një nëndetëseje me raketa të drejtuara, një aeroplanmbajtëse dhe disa anije luftarake nga rajoni.

Sipas raportimit, këto plane u janë komunikuar aleatëve të NATO-s në fillim të muajit qershor, duke ngritur shqetësime mbi ndikimin e mundshëm në praninë ushtarake amerikane në Europë dhe ekuilibrin e sigurisë në rajon.

Zyrtarët nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar publik mbi arsyet e këtij riorganizimi të forcave, ndërsa pritet që çështja të diskutohet më tej me aleatët evropianë në javët në vijim.

Top Channel