Largohet Sekretarja e Shtypit që s’mbajti konferenca për shtyp

08/04/2020 03:43

Stephanie Grisham, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk mbajti asnjë konferencë për shtyp gjatë nëntë muajve të saj në këtë detyrë, do të fillojë të punojë si shefe kabineti e Zonjës së Parë, Melania Trump. Në një deklaratë të Zonjës së Parë thuhet se zonja Grisham “ka qenë një udhëheqëse e vërtetë në Administratë që nga dita e parë dhe se e di që do të shkëlqejë si Shefe Kabineti”.

43-vjeçarja Grisham pritet të zëvendësohet nga 31-vjeçarja Kayleigh McEnany, zëdhënëse kryesore e fushatës për rizgjedhjen e Presidentit Trump. McEnany është diplomuar në Shkollën Juridike të Universitetit të Harvardit dhe më parë ka qenë zëdhënëse për komitetin kombëtar të Partisë Republikane.

Joe Lockhart, një ish-Sekretar Shtypi gjatë administratës së Presidentit Bill Clinton, i tha Zërit të Amerikës, se zonja Grisham “do të mbahet mend për atë që nuk bëri – as edhe një konferencë të vetme për shtyp në Shtëpinë e Bardhë… Ajo ia doli mbanë të eliminojë një institucion të rëndësishëm në vendin tonë, brenda më pak se një viti”. Ndërsa Grisham rrallë shfaqej në kamera, ajo ishte aktive prapa skenave në zyrën e shtypit në West Wing dhe fliste shpesh me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë, larg kamerës, përfshirë edhe në avionin presidencial Air Force One.

Ajo fitoi admirimin e korpusit të gazetarëve që udhëtojnë me presidentin, kur ajo u fut në një grindje me zyrtarët e Koresë së Veriut, të cilët u përpoqën të bllokonin hyrjen e gazetarëve amerikanë që mbulonin Presidentin Trump brenda Zonës së Çmilitarizuar në Panmunjom, kur presidenti kaloi në veri për të përshëndetur udhëheqësin e vendit, Kim Jong Un. Grisham më parë ishte drejtore e komunikimeve të Melania Trump-it dhe ka një lidhje të gjatë me familjen Trump. Ajo ka punuar si asistente në fushatën presidenciale Trump 2016.

“Besnikëria dhe të qenit e aftë për të ruajtur sekretet është kualifikimi i vetëm më i rëndësishëm i punës në Trumpworld,” shprehet Nina Burleigh, autore e librit “Prangat e Arta: Historia sekrete e grave të Trump-it”. Gjatë punës së Grisham duke punuar në Shtëpinë e Bardhë, ajo “u shqua duke mos mbajtur asnjëherë një konferencë ditore – një goditje spektakolare për gazetarinë e bazuar në fakte që pak publicistë do të kishin guxuar ose do të ishin në gjendje ta bënin. Me këtë, ajo forcoi përbuzjen e Trump-it për gazetarinë,” u shpreh Burleigh për Zërin e Amerikës.

Si sekretar i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Grisham pasoi dy figura të profileve më të larta që u bënë emra të mirënjohur – Sean Spicer dhe Sarah Sanders që shfaqeshin në kamera me korrespondentët në sallën e konferencave të shtypit. Salla mbeti kryesisht e papërdorur gjatë mandatit të Grishamit derisa presidenti vetë filloi të informojë drejtpërdrejt gazetarët, ndërsa pandemia e koronavirusit u rrit.

“Unë nuk mund të mendoj për një sekretare shtypi më të parëndësishme. Trump është vetë sekretari i tij për shtyp,” tha për Zërin e Amerikës profesori i çështjeve publike i Universitetit të Teksasit në Austin, Joshua Busby. Grisham u vetë-karantinua pasi mori pjesë në një darkë të 7 Marsit në vendpushimin e presidentit Mar-a-Lago në Florida, ku ajo u ekspozua ndaj dy ose më shumë personave që më vonë rezultuan pozitivë me COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi. Shtëpia e Bardhë njoftoi më 24 mars se testi për zonjën Grisham kishte rezultuar negativ dhe se ajo do të kthehej në punë ditën tjetër. Largimi i saj ndodh ndërsa në Shtëpinë e Bardhë vjen shefi i ri i kabinetit Mark Meadows, i cili mendohet se është në favor të rikthimit të seancave të rregullta informuese për mediat./VOA

Top Channel