Gjermania vs Covid 19/ “Rekruton” Fitbits e orat Smart

07/04/2020 16:45

Qendra gjermane për kontrollin e sëmundjeve, i kërkoi të martën personave me ora smart dhe aplikacione fitnesi, të ndajnë të dhënat e tyre për të ndihmuar në monitorimin e përhapjes së koronavirusit.

Instituti Robert Koch, tha se do të lanconte një aplikacion të quajtur Corona Data Donation që do ti lejonte njerëzve që në mënyrë vullnetare dhe anonime, të ndanin informacione nga regjistruesit e tyre të fitnesit që mund të zbulonin gjurmë të një infektimi me covid 19.

Aplikacioni falas do të përdorë kodin postar të një personi, moshën dhe peshën dhe do të monitorojë çdo ndryshim në aktivitet dhe zakonet e fjetjes, monitorimin e zemrës apo edhe temperaturën e trupit, që mund të jenë simptoma të një sëmundjeje akute respiratore. Sipas drejtorit të institutit, Lothar Wieler, aplikacioni do të ndihmojë në një vlerësim më të mirë se ku dhe sa shpejt përhapet Covid 19 në gjermani. Por, ai nënvizoi se aplikacioni, nuk mund të bëjë një diagnozë apo të zëvendësojë një test koronavirusi. Instituti do të shfrytëzojë sidoqoftë të dhënat e fitnesit për të krijuar një hartë online të Gjermanisë ku shkalla e infektimeve do të identifikohet me kod postar. Kjo do ti japë shkencëtarëve të dhëna për ecurinë e infektimeve dhe do të tregojë nëse masat e marra po funksionojnë.

Gjermania ka regjistruar më shumë se 99 mijë raste të virusit dhe rreth 1600 viktima, me një shkallë më të ulët vdekshmërie krahasuar me vende të tjera evropiane. Ajo është mbështetur tek testimet masive si edhe tek një sistem shëndetësor pa të meta, me më shumë njësi kujdesi intensiv krahasuar me shumë vende të tjera. Madje gjermania ka marrë dhjetëra pacientë nga vendet e goditura më rëndë si Italia, Spanja dhe Franca. Sidoqoftë zyrtarët thonë se është ende shumë shpejt për të zbutur masat e izolimit apo distancimit social pavarësisht se nënvizojnë se kanë qenë shumë të suksesshëm me strategjinë e tyre.

Top Channel