Shqipëria në karantinë! Aksion policor/ Ndëshkohen shoferë dhe këmbësorë, gjobiten njësi tregtie

27/03/2020 12:08

Gjatë 24 orëve të fundit ka vazhduar gjobitja dhe arrestimi në mbarë vendin i personave që kanë shkelur rregullat e karantinimit. Të ndëshkuar janë drejtues mjetesh, pasagjerë si dhe këmbësorë.

Në një njoftim të Policisë së Shtetit bëhet me dijeni se:

Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Në Lezhë është arrestuar në flagrancë shtetasi D. L., 19 vjeç, pasi është kapur duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi.

Në Vlorë janë arrestuar shtetasit Sh. B., 47 vjeç dhe G. Gj., 35 vjeç, pasi janë konstatuar duke lëvizur me këmbë jashtë orarit të lejuar dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 100 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 6 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbërta të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Po gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 45 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 13 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA