Mediat greke po përballen me një kolaps të vërtetë për shkak të mungesës së reklamave, çka i ka detyruar të kërkojnë ndihmë në mënyrë që të mund të vazhdojnë të përcjellin informacione.

Sipas mediave greke masat lehtësuese të marra nga qeveria në ndihmë të shtresave të prekura nga Covid-19 nuk përfshijnë gazetarët por as mediat, që janë në shërbim 24 orë në 7 ditë të javës për të informuar publikun, duke qenë në vijë të parë së bashku me personelin mjekësor dhe forcat e rendit, madje shpesh herë edhe më të ekspozuar ndaj rrezikut.

Shumë prej mediave thonë se të ardhurat janë zero dhe punëdhënësit nuk kanë mundësi ti paguajnë. Në këtë mënyrë rrezikohet mbyllja e shumicës së mediave në vend, ndaj është urgjente marrja e masave përpara se të jetë vonë, thonë ata.

Tashmë askush nuk reklamon, ndërsa kërkesat për informim kanë çuar në limitet e tyre stafet e mediave. Është një treg i cili po goditet për herë të dytë brenda 10 vitesh dhe ekziston frika se nëse nuk merren masa mbështetëse atëherë kjo do të jetë një goditje fatale. Në televizione, gazeta dhe media online, stafi punon me turne 12 deri në 16 orë, në terren dhe në zyra. Ky problem në fakt është bërë i qënësishëm për të gjitha mediat në vendet e prekura nga epidemia e coronavirusit, me ato spanjolle që një ditë më parë i kërkuan qeverisë hartimin e një plani shpëtimi. Edhe mediat amerikane, po e shohin veten në territore të pashkelura më parë, me Fox News që thotë se pavarësisht shikueshmërisë që po shënon kulmin, anulimi i fushatave të reklamimit po përkthehet në mungesë të ardhurash dhe pamundësi pagimi të pagave të punonjësve të shumë mediave.

Si pasojë, shumë grupe mediatike, bëjnë apele që liderët e vendit të marrin parasysh rëndësinë e informacionit në një situatë të tillë krize. Në Britaninë e Madhe ndërkohë, vetë BBC, transmetues publik, shkruan se përveç saj, transmetuesit e tjerë mbështeten tek reklamat dhe shikueshmëria e shtuar e momentit nuk po sjell të ardhura. ITV ka paralajmëruar se të ardhurat e saj do të bien me 10 për qind në prill për shkak se kompanitë e udhëtimeve kanë shtyrë fushatat e tyre të pranverës. Një rënie e tillë, shkruan BBC është shkatërrimtare dhe do të krijojë deficite në buxhetet e shumë mediave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA