Në këtë kohë të vështirë për shkak të pandemisë të koronavirusit të gjithë janë në vështirësi shumë të mëdha. Ndërkohë, për asnjë ditë nuk e kanë lënë punën mjekët, infermierët, farmacistët, policia apo edhe gazetarët.

Ne jemi çdo ditë në terren këto ditë për një mision shumë të rëndësishëm që është informimi. Të gjithë shqiptarët në shtëpi përveç shqetësimit të përditshëm për shëndetin, kanë shqetësim ushqimin ndërsa informimi ka të njëjtën vlerë si ushqimi. Media është e vetmja rrugë komunikimi në këtë operacion të madh lufte, siç e quan kryeministri.

Dje kryeministri paraqiti paketën financiare të planit A të kësaj lufte dhe harroi njerëzit e medias duke I përjashtuar nga ndihma në një moment kur e gjithë media është në gjendje shumë të vështirë.

Unioni i Gazetarëve reagoi ndaj këtij qëndrimi të kryeministrit , ndërkohë ngre alarmin e fikje sinjaleve televizive të radio televizioneve nëse situate me Covid-19 zgjat.

“Mediat dhe gazetarët nuk mund të përjashtohen nga ndihma zoti Kryeministër: ky është diskriminim. Media shqiptare është sot në gjendje kolapsi, pasi të gjitha kompanitë reklamuese janë tërhequr. Asnjë biznes nuk bën reklamë në këtë kohë krize. Përjashtimi i mediave nga vendimi i qeverisë dhe indiferenca ndaj gazetarëve të punësuar në këtë sektor përbëjnë akt të pastër ndëshkues dhe penalizues për bukën dhe jetesën e gazetarëve dhe familjeve të tyre”.

Unioni i gazetarëve sjell në vëmendje se mediat dhe fjala e lirë janë arma e vetme kundër territ informativ, i cili paraqitet si një kërcënim konkret në ditët e luftës me pandeminë COVID-19 duke I ftuar te gjitha mediat dhe gazetarët dhe shoqatave aktive në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe të lirisë së shtypit të bashkohen në reagim të përbashkët kundër këtij vendimi diskriminues të qeverisë.

Top Channel