Deklarata tmerruese e guvernatorit të Kalifornisë: Presim të infektohen 25.5 milionë vetë!

20/03/2020 11:32

Kalifornia, shteti më i populluar i SHBA-së, nxorri urdhrin që 40 milionë banorët e saj të qëndrojnë në shtëpi.

Guvernatori Gavin Newsom u tha banorëve se ata duhet të dalin nga shtëpia vetëm kur është e domosdoshme.

“Është një kohë kur duhet të bëjmë vendime të vështira. Duhet ta pranojmë realitetin”, tha ai.

Guvernatori bëri dhe një paralajmërim të frikshëm.

“Nga përllogaritjet që kemi bërë rezulton se pa masa ekstreme, brenda 8 javësh mund të infektohet 56% e popullsisë në Kaliforni, apo 25.5 milionë vetë”, thoshte ai në një letër dërguar Trumpit ku i kërkonte dërgimin e anijes spitalore USNS Mercy në portin e Los Angelesit.

Kalifornia është ndër shtetet e para amerikane që vendos kufizime të përgjithshme. Në fillim të kësaj jave, Nevada po ashtu njoftoi se bizneset jothelbësore do të mbyllen për 30 ditë. Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 13,600 njerëz kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin nga 7,000 që ishin një ditë më parë.

Të paktën 200 kanë vdekur, një rritje dramatike krahasuar me shifrat e publikuara 24 orët e kaluara. Sipas të dhënave, personat e shëruar janë vetëm 108. Disa ekspertë thonë se shifra e të infektuarve mund të jetë shumë më e lartë, pasi testimet që bëhen janë shumë pak.

Top Channel