Ambasada e Japonisë në Kosovë ndan grante në vlerë 350 mijë euro në pesë komuna

20/03/2020 12:59

Ambasada e Japonisë në Kosovë ka njoftuar se në kuadër të skemës për projekte bazike dhe siguri njerëzore të Qeverisë Japoneze, ka nënshkruar pesë grant projekte me një total të granteve 348,084.00 euro me qëllim të implementimit të projekteve për qytetarët e Kosovës në pesë komuna.

Sipas komunikatës së ambasadës, projektet të cilat Ambasada Japoneze në Kosovë do t’i mbështesë në vitin fiskal 2019/20. “Projekti për Rinovimin e Ndërtesës së Institucionit Parashkollorë “Gëzimi Ynë” Prishtinë (73,963.00 Euro) Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë mjedisin arsimor për fëmijët e moshës 1-3 vjeç, duke ndërhyrë në infrastrukturën e përgjithshme të parashkollorit.

Projekti për sigurimin e një automjeti zjarrëfikës për Komunën së Podujevës në vlerë prej 69,920.00 euro. Qëllimi i projektit është dhurimi i një kamion zjarri sulmues që do të përmirësojë shërbimin e zjarrëfikësve dhe shpëtimit në Komunën e Podujevës, do të përmirësojë kohën e reagimit, të rris efikasitetin përsa i përket mbulimit dhe kohës së reagimit dhe ndërhyrjeve të zjarrit dhe shpëtimit në këtë Komunë.  Projekti për ndihmë në pajisje, për sigurimin e një traktori shumëfunksional për Komunën e Novobërdës në vlerë prej 74,056.00 euro. Projekti do të përmirësojë transportin publik dhe komunikacionin gjatë sezonit të dimrit përmes rritjes së kapaciteteve për heqjen e borës dhe sezonit veror për furnizimin me ujë në rrugët lokale të Komunës së Novobërdës. Projekti për ndihmë departamentit të zjarrëfikësve në komunën e Suharekës përmes sigurimit të një kamioni të ri zjarrëfikës në vlerë prej 70,000.00 euro. Kjo do të bëjë të mundur që departamenti i zjarrëfikësve të jetë në gjendje t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve në rast zjarri, në zonat urbane dhe periferike të Suharekës, si dhe duke përfshirë edhe Autostradën nacionale Prishtinë – Prizren.

Projekti për ndihmë në De-minimin në Komunën e Mitrovicës, përkatësisht në fshatin Bare në vlerë prej 60,145.00 euro. Ky projekt implementohet nga Norwegian People’s Aid po synon konkretisht fshatin Bare në mënyrë që të shmangen aksidentet e mundshme në të ardhmen dhe të bëjë të mundur zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit në këtë anë. Në Kosovë, Japonia tashmë ka implementuar projekte qysh përpara se vendi të fitonte pavarësinë. Shuma totale e granteve të Projekteve Japoneze që nga 2010 deri më sot arrinë në 2,711,985 EUR për projekte në të gjithë vendin”, thuhet në komunikatë. Më shumë info për programin GGP nga Ambasada Japoneze në Kosovë Në kuadër të kësaj skeme mbështeten projektet e propozuara nga organe të ndryshme si organizata joqeveritare (OJQ) dhe autoritetet e qeverisjes vendore, lokale apo qendrore. Ky instrument i ndihmës së granteve siguron mbështetje për sektorët e ndryshëm në Kosovë. Ky program ka marrë një reputacion të mirë në mbarë botën, për ofrimin e ndihmës në mënyrë efektive dhe në kohë.

Përmes këtij instrumenti, Japonia ka ofruar ndihmë, duke filluar nga ndihma humanitare e menjëhershme që ofron mbështetje për komunitetet për nevojat e tyre të menjëhershme emergjente si dhe ri-ndërtimin e vendeve në zonat pas konfliktit. Ndihma e Grantit në kuadër të GGP u prezantua për herë të parë nga Qeveria e Japonisë në 1989 me qëllim plotësimin e nevojave të ndryshme socio-ekonomike në vendet në zhvillim. GGP siguron ndihmë të pakthyeshme financiare për OJQ-të, spitalet, shkollat, shoqata të tjera jofitimprurëse për të ndihmuar në zbatimin e projekteve të tyre të zhvillimit. Fondet në kuadër të GGP mundohen të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e komunitetit. Kriteret për përfitim ç’do lloj organizate jofitimprurëse ka të drejtë të jetë përfituese e granteve të GGP. Kërkesa e vetme është që ato të jenë organizata jofitimprurëse që zbatojnë projekte me bazë zhvillimin në komunitet. Lista e mëposhtme janë shembujt e përfituesve të mundshëm:(a) OJQ ndërkombëtare ose lokale (b) Organizatat me bazë komunitare (CBO) (c) Autoritetet lokale (d) Institucionet shëndetësore (e) Shkollat fillore dhe shkollat profesionale (trajnuese) (f) Shoqata të tjera jofitimprurëse

Top Channel