Në vijim të masave të reja shtrënguese për të frenuar përhapjen e mëtejshme të Covid-19 në vendin tonë, nga ora 10 e mëngjesit të sotëm dhe deri tani, nga policia e Fierit mësohet se janë shoqeruar rreth 6 persona në mjediset e komisariatit, ndërsa janë dënuar me masë 10 mijë lekë, rreth 10 qytetarë, kryesisht këmbësorë.

Këta të fundit kanë shkelur vendimin që ndalon lëvizjen e qytetarëve jashtë fashës së orarit që lejohet levizja 06:00-10:00. Aksioni ndërkohë vijon dhe patrullat ndalojnë e pyesin çdo qytetar që lëviz në këmbë, me biçikletë apo automjet. Kontrolle ka brenda në qytet, në hyrje-dalje të tij dhe në njësitë administrative.

Grupet e punës së ngritura sipas rajoneve në bashkinë e Fierit kanë filluar punën për të ndihmuar të moshuarit e vetmuar, që nuk kanë mundësi të kryejnë detyrimet e përditshme. Deri tani janë ndihmuar 173 të moshuar duke iu blerë ushqimet, ilaçet dhe detergjentët.

Ndërkohë që ka filluar shpërndarja e pakove ushqimore bazike për 1000 familje që nuk kanë mundësi ekonimike. Këtu përfshihen personat e moshuar, familje me ndihmë ekonomike si dhe familjet në nevojë.

Top Channel