Covid-19, masat kufizuese/ Në 24 orë bllokohen automjetet dhe pezullohen lejet e drejtimit për 78 persona, arrestohen 4 të tjerë

19/03/2020 16:00
Foto ilustruese

Policia e Shtetit, me anë të një njoftimi, bënë me dije se pas kontrolleve të kryera në të gjithë territoren për zbatimin e masave kufizuese të ndërmarra nga qeveria, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar lejet e drejtimit dhe janë bllokuar automjetet e 78 persoanve.

Mësohet gjithashtu se janë arrestuar 4 persona të tjerë, për drejtimi mjeti në gjendje të dehur.

Policia e Shtetit

Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, për zbatimin e masave kufizuese të shpallura nga Qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 78 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit, si dhe janë bllokuar 78 mjete, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Po gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi, konkretisht: 1 në Dibër, 1 në Tiranë, 1 në Shkodër dhe 1 në Korçë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve për zbatimin e masave shtesë për mbylljen e lokaleve, u ndëshkuan me masë administrative me nga 100.000 lekë secili, 13 administratorë lokalesh, konkretisht: 6 në qarkun Tiranë , 3 në qarkun Durrës, 2 në qarkun Shkodër, 1 në qarkun Lezhë dhe 1 në qarkun Fier.

Po dje, në Shkodër, gjatë kontrolleve për respektimin e vetëkarantinimit, është konstatuar shtetasi E. D., i kthyer nga Kosova më datë 17.03.2020, i cili kishte dalë nga banesa dhe është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.

Top Channel