“Lufta” me koronavirusin/ Evropa, epiqendra e pandemisë. Rritet numri rasteve në Spanjë dhe Itali

14/03/2020 17:27

Rastet e koronavirusit në Spanjë janë rritur me mbi 1500 duke e çuar totalin në 5700. 136 janë viktimat. Spanja është vendi më i prekur në Evropë kështu, pas Italisë, që ka më shumë se 15 mijë raste.

Qeveria spanjolle do të shpallë karantinën si pjesë e një emergjence shtetërore. Ndërsa në Britaninë e Madhe, dhjetë persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit, duke e çuar totalin në vend në 21. Të gjitha viktimat e fundit të Covid 10 sipas zyrtarëve, janë pacientë nga grupi i rrezikuar, të moshës mbi 60 vjeç.

Viktimat janë regjistruar në Londër, Birmingam dhe Leicester. Ndërkohë numri i rasteve të konfirmuara me Britaninë e Madhe ka shkuar në 1140. Edhe një foshnjë e sapolindur dhe nëna e saj janë mes rasteve më të fundit në Angli.

Mjekët po përpiqen të konfirmojnë nëse foshnja, është infektuar gjatë lindjes apo më parë. Franca në anën tjetër ka konfirmuar 3661 raste dhe 79 viktima. Gjermania ka 3675 raste dhe tetë viktima. Italia ndërkohë mbetet në izolim, me numrin e rasteve në vend që ka shkuar në rreth 15 mijë dhe me 1266 viktima. Vetëm të premten u konfirmuan 250 viktima të reja.

OBSH të premten tha se Evropa ishte tani epiqendra e pandemisë. Drejtori i përgjithshëm i saj i kërkoi vendeve të merrnin masa agresive, të mobilizonin komunitetin dhe të aplikonin distancimin social për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish. Disa vende të tjera evropiane kanë raportuar rritje të konsiderueshme të rasteve dhe viktimave, ditët e fundit.

Nga dita e shtunë ka hyrë ndërkohë në fuqi edhe ndalimi i udhëtimeve nga 26 vende anëtare të BE nga ana e shteteve të bashkuara. Trump po ashtu shpalli emergjencën kombëtare duke çliruar 50 miliardë dollarë fonde që do të shkojnë për luftën kundër virusit. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se të gjithë të ardhurit në vend duhet të vetëizolohen për 14 ditë. Në kinë ndërkohë rastet e reja mes njerëzve që hyjnë në vend ka kaluar atë të transmetimeve lokale për të parën herë. Kolumbia ka mbyllur kufirin me Venezuelën dhe ka ndaluar vizitorët që kanë qenë së fundmi në Evropë apo Azi. Më shumë se 132 500 persona janë diagnostikuar me Covid 19 në 123 shtete të botës sipas OBSH. Numri i viktimave ndërkohë ka shkuar në rreth 5 mijë.

Top Channel