Italia është shteti i cili po kalon në një periudhë të vështirë për shkak të virusit COVID 19, mirëpo vendi mik është kujtuar të ndihmojë Kosovën me pajisje shtesë për të parandaluar përhapjen e atij që tashmë gjerësisht po njihet si koronavirusi.

Edhe pse deri më tani në Kosova nuk është regjistruar asnjë rast me COVID 19, shteti ka ndërmarrë masa që të përgatitet për çfarëdo lloj skenari të mundshëm. Ambasadori italian, Nicola Orlando, deklaroi se qeveria ka ndërmarrë masat e duhura për të parandaluar përhapjen ndërsa foli edhe për rëndësinë e zbatimit të këshillave nga ana e qytetarëve.

Orlando pati fjalë inkurajuese edhe për mjekët të cilët janë në vijën e parë të frontit dhe po luftojnë me sëmundjen duke i cilësuar ata si heronj.Diplomati italian uroi që situata në Kosovë të mbetet e njëjtë dhe të mos regjistrohet asnjë rast me koronavirus, ndërsa tha se nuk kishte udhëtuar drejt vendlindjes së tij që nga 6 janari.

“Këta janë heronjtë e vërtet që janë këtu për t’u ballafaquar me gjendjen. Edhe pse në Kosovë deri më tani nuk ka raste të koronavirusit, shpresojmë të mbetet e tillë situata…rreziku është shumë i madh për shkak të kësaj sëmundje infektive. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. I dërgoj komplimentet e mija qeverisë së Kosovës që i ka marrë masat e duhura për të parandaluar përhapjen…siç e dina në situata të vështira duhet të marrë vendime të vështira. Po është shumë e rëndësishme që të marrin këto vendime dhe të respektojmë këto dhe të gjitha këshillat për të ndihmuar mos përhapjen e virusit”, tha ai.

Drejtori i IKShP-së, Naser Ramadani, u shpreh falënderues për këtë donacion. Në mesin e mjeteve mbrojtëse ka maska, mantela dhe dorëza të cilat u thanë se kanë ardhur para shpërfaqjes së epidemisë në Itali. Duke folur për rastet e dyshimta me koronavirus, ai tha se nga të gjitha mostrat që kanë marrë deri më tash, nuk ka rezultuar ndonjë rast. Ramadani theksoi se për çdo rast të dyshimtë, rezultatet e tyre dalin në afërsisht katër orë.

“Deri këto momente ne kemi testuar tashmë 95 raste dhe të gjitha kanë rezultuar negative. Ne çdo ditë kemi me bërë testimin i cili do të rritet gradualisht. Duke pasur parasysh kërkesat dhe presionet për të testuar. Laboratorët janë të gatshme”, tha ai.E, drejtori i departamentit Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi u shpreh se çdo ndihmë me pajisje mbrojtëse janë të nevojshme. Sipas tij është shumë e mundur që në ditët ose javët në vijim të ketë raste me këtë virus.

“Siç e dini ne në mënyrë të përditshme testojmë me dhjetëra mostra nga rastet e dyshimta. Është shumë e mundur që në ditët në vijim, ose javët të kemi raste. Pajisjet mbrojtëse janë shumë të domosdoshme për punë të përditshme”, tha ai.

Top Channel