Korea Veriore: Kim ka vëzhguar stërvitjet e dyta ushtarake brenda një jave

10/03/2020 09:59

Lideri verikorean, Kim Jong Un ka vëzhguar stërvitjet e dyta ushtarake brenda një jave, kanë thënë mediat shtetërore të martën, teksa ky vend vazhdon të rrisë kapacitetet në këtë fushë.

Raportimet e agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA, kanë ardhur një ditë pasi ushtria e Koresë Jugore ka vërejtur nisjen e tri raketave me rreze të ulët në gjirin lindor verikorean.

Kjo agjenci ka thënë se lideri Kim ka qenë shumë i kënaqur pasi njësitet e frontit të parë kanë arritur “shënjestrim fantastik” gjatë stërvitjeve, me qëllim të testimit të kundërsulmit të shpejtë.

Ajo po ashtu ka thënë që lideri verikorean është zotuar për të krijuar “shërbimin më të fuqishëm të armëve nga i cili do të frikësohen të gjithë”, mirëpo nuk ka përmendur në mënyrë specifike Shtetet e Bashkuara apo Korenë Jugore.

Kim ka vëzhguar edhe dy stërvitje tjera të zhvilluara më 28 shkurt dhe 2 mars, pasi ky shtet ka rikthyer testimet e armëve për herë të parë prej muajit nëntor të vitit të kaluar.

Kjo pasi Kim ka nisur vitin 2020 me zotimet për të rritur kapacitetet ushtarake ndonëse po përballet me presion dhe sanksione të ashpra amerikane.

Bisedimet bërthamore janë bllokuar prej dështimit të samitit të dytë të zhvilluar në mes të liderit verikorean dhe presidentit amerikan, Donald Trump në fillim të vitit 2019, kur amerikanët kanë kundërshtuar kërkesat e Koresë Veriore për heqje të sanksioneve në këmbim të dorëzimit të një pjesë të sistemit bërthamor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA