Bullgaria regjistroi rastet e saj të para të koronavirusit, ndërsa sëmundja vazhdon të përhapet në Ballkan. Bëhet fjalë për katër pacientë: një djalë 27 vjeç, një burrë 61, një grua 75 vjeçe dhe një mjeke.

Gjendja e tyre është e qëndrueshme ndërsa të gjitha personat që kanë qenë së fundi në kontakt me ta i janë nënshtruar testeve. Kryeministri Boyko Borissov njoftoi se Bullgaria ka blerë 50,000 pajisje mbrojtëse nga Turqia dhe planifikon prodhimin e 3 milionë maskave dhe pajisjeve të tjera që mund të ndihmojnë në luftën kundër epidemisë, por ministri i shëndetësisë, Kiril Ananiev e pranoi se mund të duhen muaj përpara se ato të jenë gati. Të gjitha eventet kulturore dhe sportive në ambjente të mbyllura janë anuluar.

Shkollat gjithashtu nuk do të hapen deri në 11 mars. Maqedonia e Veriut, raportoi së fundi dy raste të reja përveç atij që ishte shënuar më parë: bëhet fjalë për një çift të porsakthyer nga Italia. Rumania ka anuluar të gjithë fluturimet me Italinë deri në 23 mars. Kosova, që nuk ka raportuar asnjë rast deri tani, i ndaloi dhe ajo fluturimet nga Veriu i Italisë, por jo me pjesën tjetër të vendit. Kroacia ka identifikuar deri tani 12 raste, por situata atje nuk pati asnjë ndryshim gjatë fundjavës. Bosnja e konfirmoi rastin e saj të parë në 5 mars, dhe Serbia një ditë më vonë, megjithatë konsiderohet se përgjithësisht, të paktën për momentin, rajoni I Ballkanit nuk është prekur shumë nga sëmundja.

Top Channel