Mbështetja për një amnisti fiskale duket e gjerë, jo vetëm nga biznesi, por edhe ekspertët.

“E mbështesim dhe është nismë ne hapin e duhur”, ka thënë Luan Bregasi.

“Amnistitë çlirojnë kapitalin dhe gjithmonë relaksojnë biznesin dhe individët ndaj mirëpriten nga të gjithë ekspertët”, tha Artur Papajani, konsulent fiskal.

Profesor Sotiraq Dhamo, i cili drejton departamentin e kontabilitetit ne fakultetin ekonomik gjykon se tani është një moment i mirë për të ndërmarrë amnisti. Por që nisma të ketë sukses sipas tij duhen plotësuar dy kushte.

“E para te behet ne atë mënyrë qe te jete e realizueshme, jo si herët e kaluara dhe e dyta te sigurohet qe veprat e amnistuara te mos përsëriten më”, shprehet Sotiraq Dhamo.

Artur Papajani ish drejtor i tatimeve dhe konsulent fiskal liston edhe dy kushte të tjera.

“Këto draftet duhet të mos jenë konspiracion, por transparente dhe të konsultohen gjerësisht me të gjithë. Së dyti një tjetër faktor kyç është edhe konsensusi politik”, thotë Papajani.

Ndërsa biznesi, në rolin e përfituesit kryesor ka vetëm një kërkesë.

“Amnistia duhet të çohet deri në fund për ta kryer misionin e saj. dhe që amnistia ta kryejë misionin e saj duhet që qeveria të bëjë politika nxitëse se ku do të investohen këto para që do të merren nga amnistia”, shprehet Luan Bregasi.

Pak ditë më parë, kreu i qeverisë lajmëroi se Shqipëria do të ndërmarrë një amnisti të gjerë fiskale, me garanci të plota ligjore për ti dhënë fund një herë e mirë evazionit dhe paligjshmërisë fiskale./ Klodian Tomorri/

Top Channel