Gjatë fjalës së tij në Komitetin Kombëtar të Sigurisë për koronavirusin, kryeministri i vendi, Edi Rama deklaroi se Shqipërinë e ka prekur infodemia (epidemia e lajmeve të rreme, të pakonfirmuara), por sipas tij, siç ndodh shpesh në vendin tonë, situata infodemike është shfaqur në më shumë se në një formë.
“Sapo Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli emergjencën globale, ne menjëherë filluam kontaktet e domosdoshme në një botë që është gjithmonë e më e vogël për shkak të bashkëveprimit intensiv. Gjithkush është i ekspozuar ndaj riskut, me një koeficient që gjithnjë i bashkohet sëmundjeve infektive, që është koeficienti i të panjohurës, që e bën sëmundjen edhe më të frikshme. Ka pikëpyetje për origjinën në rastin konkret dhe këtu sugjeroj të kemi parasysh Italinë fqinje ku edhe tani që flasim ende vazhdojnë përpjekjet për të gjetur pacientin zero. Edhe informacionet e përditësuara që merren në kohë reale nga Kina tregojnë për dyshime të vazhdueshme lidhur me origjinën e vërtetë të këtij virusi. E panjohura tjetër është ajo për përhapjen; e vetmja gjë që dihet është që përhapja e tij është e shpejtë. Por për shembull një nga pyetjet që diskutohet është si ka mundësi vendet në kufi me Kinën nuk kanë ende asnjë rast të shfaqur dhe diskutimi vazhdon mbase temperatura, mbase kjo ajo… E panjohura tjetër për mënyrën e luftimit më efikas dhe pavarësisht përpjekjeve të ethshme ende nuk është arritur te një vaksinë specifike për një virus specifik dhe me sa komentohet kjo do të kërkojë akoma kohë”, u shpreh Rama.
Më tej shtoi:
“Është një situatë që ka zënë në befasi gjithë botën, një virus përhapja e të cilit për fat të keq, kjo është e pashamngshme dhe gjithnjë e më problematike, po shoqërohet me atë që OBSH e konsideron një rrezik serioz, epideminë e lajmeve të rreme, të pakonfirmuara, e lajmeve që marrin dhenë dhe që influencojnë në mënyrë të jashtëzakonshme mbi qëndrimin dhe sjelljen e konsumatorëve të lajmeve. Infodemia ka prekur mbarë botën sipas OBSH-së, ka prekur edhe Shqipërinë, por siç ndodh shpesh në Shqipëri situata infodemike është shfaqur në më shumë se në një formë, rendja e ethshme për më shumë informacion, që sjell shumëfishimin e titujve që mban fjalën koronavirus ose viktimë… Një karakteristikë jo fort e përhapur që shoqëron situatën në Shqipëri është përpjekja individuale ose e grupeve të caktuara për të shfrytëzuar frikën, për të nxitur panikun, për të prodhuar alarme në funksion të interesave politike apo mediatike.
Top Channel