Trump paralajmëron Rusinë: Ndaloni mbështetjen për mizoritë e regjimit sirian

17/02/2020 17:21

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka biseduar në telefon me homologun turk Recep Tayyip Erdogan, të cilit i ka përcjellë “shqetësimin e tij të thellë lidhur me dhunën në Idlib të Sirisë”.

Njoftimin e bëri sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, sipas të cilit Trump ka kërkuar që Rusia të ndalojë menjëherë mbështetjen e saj për “mizoritë” e regjimit sirian. Kreu I administratës amerikane po kështu ka shprehur dëshirën që të shohë “fundin e mbështetjes ruse” për presidentin sirian, Bashar al-Assad dhe një “zgjidhje politike të konfliktit në Siri”, i cili ka nisur që në vitin 2011.

Ushtria siriane njoftoi sot se ka arritur të avancojë në kohë rekord në veriperëndimin e Sirisë ku ndodhet Idlibi, që është dhe bastioni i fundit i rebelëve anti-qeveritarë. Turqia ndërkohë, e cila mbështet rebelët që kërkojnë përmbysjen e Assadit, i ka bërë thirrje Moskës të ndalojë sulmet në Idlib, duke paralajmëruar se do të përdorë fuqinë ushtarake kundër forcave siriane, nëse ato nuk tërhiqen deri në fund të muajit. Turqia ka 12 postblloqe në Idlib, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur në 2018-tën mes Ankarasë dhe Moskës për parandalimin e një ofensive qeveritare, por forcat e Assadit kanë përparuar pavarësisht pranisë së tyre.

Top Channel