Evakuime në Britaninë e Madhe/ Stuhia “Dennis” gjunjëzon vendin

17/02/2020 12:20

Komunitetet në mbarë Britaninë po përballen me një tjetër ditë përmbytjesh dhe kaosi të udhëtimit, pas shirave të rrëmbyer që solli stuhia Dennis. Më shumë se 300 paralajmërime për përmbytjet janë ende në fuqi në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë dhe pesë paralajmërime të rënda që nënkuptojnë rrezikun për jetën. Ekipet e shpëtimit nisën nga puna që në orët e para të ditës për të nxjerrë me varka banorët e bllokuar nga shtëpitë e tyre në Worcestershire.

Incidente të mëdha u regjistruan në Uellsin Jugor, ku në zona të tëra, është praktikisht i pamundur udhëtimi. Rrugët janë gjithashtu të bllokuara në disa pjesë të Skocisë, e probleme kanë pasur edhe mjaft linja hekurudhore.

Autoritetet lokale në Tenbury Wells, të Worcestershire, kanë paralajmëruar se mund të ketë nevojë për të tjera evakuime. Mijëra thasë me rërë janë vendosur në argjinaturat e lumit Ouse, teksa Agjencia e Mjedisit paralajmëroi se niveli i tij mund t`i afrohet rekordit të vitit 2000.

Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar forcat ushtarake për të ndihmuar njerëzit në zonat e Yorkshire, të goditura keq nga përmbytjet edhe gjatë stuhisë Ciara fundjavën e kaluar. Sekretari i Mjedisit George Eustice tha për BBC se qeveria ka shpenzuar 2.5 miliardë paund për të trajtuar kushtet ekstreme të motit që nga viti 2015 dhe është zotuar të shpenzojë edhe 4 miliardë të tjerë në pesë vitet e ardhshme. Duke iu përgjigjur kritikave lokale për reagimin ndaj vërshimit të ujërave në York, Eustice sqaroi se 80 milion paundë janë shpenzuar në projekte për mbrojtjen e qytetit nga përmbytjet, dhe shumë të tjera janë në “fazë planifikimi”.

 

FOTO GALERI
5/18

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA