Në Gjirokastër qytetarët po i bashkohen fushatës së mbjelljes së pemëve për të parandaluar rrëshqitjet. Vetëm dy vjet më parë në të gjithë qytetin u shfaqën tri vatra serioze rrëshqitjeje që rrezikonin më shumë se 50 familje.
Në Kodrën e Shtufit, zonën ku një masiv dheu i shemb mbi një pallat 8 katësh nxënës të shkollës “Koto Hoxhi” mbështetur nga biznese lokale kanë mbjellë një numër pemësh ulliri.
Shkollat dhe qytetarët janë duke mbështetur shumë projekte mjedisore në Gjirokastër.
Kreu i bashkisë shpreson që nismat ti rrisin garancitë për stabilizim të shpateve në rrëshqitje jo vetëm në Kodrën e Shtufit por edhe në zona të tjera të shpyllëzuara përgjatë dekadave të fundit.
Brenda muajit mars pritet të mbillen mbi 3000 pemë dhe shkurre dekorative, një pjese e tyre si kontribut privat i qytetarëve dhe organizatave. Rreth 3 m2 është sipërfaqja e gjelbërt që i takon çdo qytetari të Gjirokastrës nga 9 m2 që është norma e pranuar.
Shpyllëzimi masiv ishte një prej shkaqeve kryesore të rrëshqitjeve ne tri lagje të qytetit të Gjirokastrës. Në nivel rrethi dhe qarku Gjirokastra ka humbur gjatë dekadës së fundit më shumë se 40% të fondit pyjor dhe të brezit të shkurreve duke kërcënuar habitatet natyrore të faunës.
Top Channel