Ankandi i “AlbPetrol”, anulohet gara për 31 mijë ton naftë

13/02/2020 13:19

Kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, “AlbPetrol” ka anuluar ankandin për shitjen 31 mijë tonë naftë të përpunuar. Sipas njoftimit zyrtar nuk u paraqit asnjë ofertë në garën e zhvilluar më 6 shkurt.

Tani për tani çdo gjë është pezulluar deri në organizimin e një ankandi të ri. Në thirrjen e parë, “AlbPetrol” kishte vendosur një çmim fillestar, që niste nga 75,37 përqind i çmimit BRENT, pra e naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, I cili publikohet në buletinin e agjencisë së prokurorimit publik. Sasia do të dorëzohej brenda 90 ditësh nga shpallja e fituesit. Ky ishte ankandi i dytë që zhvilloej brenda një periudhe kohore 1-vjeçare.

Muajin maj që shkoi, “AlbPetrol” nxori në ankand, 75 mijë tonë nafte, e cila u ble për 30 milionë dollar, nga “Al Global Oil”, që u shpall fituese e garës. Kompania shqiptare e nxjerrjes së naftës prodhon rreth 280 ton nafte në ditë, ndërkohë që është përgjegjëse për monitorimin e kontratave koncesionare. Ajo ushtron aktivitetin e vet si kompani prodhimi në 11 vendburime nafte dhe 6 gazi natyror.

Top Channel