Sanders fiton në New Hampshire: Kjo fitore është fillimi i fundit të Donald Trump!

12/02/2020 16:46

Bernie Sanders fiton zgjedhjet paraprake demokrate në New Hampshire me rreth 26 për qind të votave, i ndjekur nga Pete Buttigieg.
“Ne do të fitojmë sepse kemi një program që adreson nevojat e punëtorëve në të gjithë vendin. Kjo fitore është fillimi i fundit të Donald Trump, “tha Sanders, 78-vjeç, para mbështetësve në Manchester, New Hampshire.

Joe Biden ndërkohë ka mundur të marrë pak më shumë se 8.6 për qind. Garën ndërkohë e kanë braktisur sipërmarrësi Endriu Jang dhe senatori i Kolorados, Majkëll Bennet.

“Tani do të fitojmë edhe shtetet e tjera”, tha Berni Sanders pas shpalljes së rezultatit. “Ajo që kemi bërë së bashku këtu, nuk është asgjë më pak se sa fillimi i një revolucioni politik”.

Duke konfirmuar parashikimet, senatori socialist merr kështu kryesimin në raundin e dytë të paraprakeve demokrate në New Hampshire, duke u distancuar me më pak se dy pikë nga kryebashkiaku i Sauth Bend, Pete Buttigieg, që në Ajoua e kishte mundur me vetëm dy delegatë më shumë. Të dy ata sidoqoftë, dalin nga këto zgjedhje si pretendentë kryesorë. Duke jetuar në vermontin fqinj, Berni Sanders kishte avantazhin se luante thuajse në shtëpinë e tij.

Në 2016, atje ai kishte triumfuar në zgjedhjet paraprake përballë Hillari Klintonit, duke e lënë pas atë me 22 pikë. Por këtë radhë, kampi demokrat është më i gjerë, me plot nëntë kandidatë, që ndajnë votat. Ai që ka dalë më keq nga parashikimet, është Joe Biden i cili ka zbritur nga i katërti në Ajoua, në të pestin në Nju Hempshajër. Ish zëvendëspresidenti ishte favorit në fillim të garës, por sidoqoftë, është ende herët për të folur.

Më 3 mars kandidatët demokratë kanë sprovën e super të martës, kur do të zbresë në kamp edhe miliarderi Majkëll Blumberg që në sondazhe renditet mirë ndërkohë që po derdh milionat në spote publicitare dhe është në shënjestër të postimeve të helmatisura të Donald Trump në twitter.

Top Channel