Në një linjë me SHBA-në, Berlini zyrtar kërkon heqjen e menjëhershme të taksës 100% mbi produktet serbe.

Këtë e pohoi për Express një zëdhënës i Qeverisë Federale, i cili tha se një vendim i tillë do të ishte një hap i rëndësishëm për rifillimin e negociatave. Në një përgjigje ekskluzive për këtë gazetë, nga ekzekutivi i Merkel thuhet se qëndrimi gjerman është i njëjtë. “Pozicioni ynë mbetet i pa ndryshuar: Qeveria gjermane do të mirëpriste një heqje të menjëhershme të taksës 100 % që është vendosur nga Kosova për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën”, thuhet aty, pa u përmendur ndërkohë reciprociteti, të cilin e kundërshton përfaqësuesi Special Presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Tani pritet të shihet nëse Albin Kurti si kryeministër do të ndryshojë qëndrim lidhur me modalitetin se si do të hiqet taksa. A do të merret një vendim i menjëhershëm apo do t’i qëndrojë fjalëve të tij se do ta heq taksën sapo të vendoset reciprociteti, thotë Express.

Gjatë kësaj fundjave , kreu i Qeverisë së Kosovës do të qëndrojë në Mynih të Gjermanisë në kuadër të Konferencës për Sigurinë, ku do të marrë pjesë në një panel të përbashkët diskutimi me Aleksandar Vucicin, ndërkohë me shumë gjasë do të ketë edhe takime me zyrtarë të lartë të fuqive perëndimore që do të qëndrojnë në qytetin gjerman. Përveç kësaj, Kurtin në Berlin e ka ftuar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ndonëse ende nuk dihet data kur do të realizohet takimi.

Top Channel