I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, përsëriti thirrjet për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe, duke i shtuar asaj këtë radhë një element të ri.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Grenell ka theksuar se “është thelbësore që tarifa të hiqet, në mënyrë që të ketë investime”. Ambasadori po kërkon me ngulm nga kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti që ta largojë tarifën ndaj mallrave serbe, te vendosur prej ekzekutivit të Ramush Haradinajt.

Qeveria e re ka paralajmëruar zëvendësimin e saj me masën e reciprocitetit kundër Serbisë, por ende nuk është sqaruar si do të zbatohet ky vendim.Megjithatë, ambasadori Grenell, në 10 shkurt, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndërmend të marrë kundër Serbisë. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, sqaroi për REL se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% pa reciprocitet.

“Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht”, ishte deklarata e tij. Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Haki Abazi thotë se qeveria e Kosovës po punon që t`I kapërcejë çështjet e hapura ndërsa vendosjen e reciprocitetit e cilësoi si “një qasje pragmatike”.

Top Channel