Vazhdon me ritme shumë të larta shitja e biletave për derbin e Madoninës Inter-Milan.

Ndryshe nga faza e parë do të jetë një San Siro e mbushur plot e për plot kjo edhe për faktin se Interi është skuadra që në këto vitet e fundit në Itali dominon përsa i përket numrit më të madh të fansave në stadium dhe madje nuk ka rivalë.

Përveç abonimeve nëse shiten edhe 300 biletat e fundit do të jenë diçka më shumë se 75 mijë shikues të dielën në mbrëmje në San Siro, një shifër pak më e ulët se ajo e tetorit të kaluar ndaj Juventusit kjo për vetë faktin se kapaciteti maksimal i San Siros është ulur në këtë sezon teksa janë mbyllur disa nga sektorët e katit të 3-të për çështje sigurie për shkak të dridhjeve që janë ndierë në stadium gjatë muajve të fundit.

Por nëse Milani arkëtoi diçka më pak se 5 milionë euro nga 70 mijë e 440 spektatorët që ishin në San Siro 21 shtatorin e kaluar, Interi do të arkëtojë rreth 6,6 milionë euro nga shitja e më shumë se 75 mijë biletave, nuk do t’i afrohet rekordit të arkëtimeve prej 7,8 milionë eurosh ndaj Barcelonës në Champions, por do të jetë shumë afër 6 miljon e 621 mijë eurove që u arkëtuan nga sfida e 6 tetorit ndaj Juves.

Top Channel