Teksa koronavirusi përhapet në Kinë, autoritetet përkatëse u kanë bërë thirrje vendeve të tjera për të ndihmuar në furnizimin me maska mbrojtëse për fytyrën.
Pra, për sa maska ka nevojë Kina, dhe ku prodhohen ato?
Megjithëse ekspertët janë skeptikë në lidhje me efektivitetin e tyre, maskat në fytyrë janë në përdorim të gjerë si në popullatën e përgjithshme ashtu edhe personelin mjekësor. Ne nuk mund të dimë një numër të përgjithshëm përfundimtar, pasi virusi po përhapet në të gjithë Kinën, por për të dhënë një ide të shkallës së kërkesës, le të fillojmë duke parë fillimisht situatën në provincën Hubei, epiqendrën e shpërthimit.
Duke shqyrtuar vetëm stafin mjekësor , numërohen rreth 500,000 në krahinën në fjalë. Këshilla mjekësore aktuale, numër një në Kinë është që të ndryshohet rregullisht maska e fytyrës, veçanërisht katër herë në ditë për ekipet mjekësore, çka do të kërkonte dy milionë maska çdo ditë. Kjo është procedura që po ndiqet në një nga spitalet kryesore në Wuhan, qyteti më i madh në provincën Hubei.
Ne nuk kemi një bilanc për numrin e stafit mjekësor në provincat e tjera të prekura ndjeshëm, por do të ishte e arsyeshme të supozojmë një model të ngjashëm të përdorimit. Po kështu ekziston përdorimi i gjerë i maskave të fytyrës në mesin e popullatës së zakonshme, pavarësisht nëse ata janë udhëzuar ose jo për ta bërë këtë nga autoritetet. Më shumë se gjysmë milioni personel që punon në transportin publik në Kinë u është thënë që të përdorin maska. Ka raporte që disa dyqane, biznese dhe lokale të tjera publike u kanë thënë njerëzve që të përdorin maska nëse dëshirojnë të hyjnë brenda.
Është gjithashtu e rëndësishme të thuhet se në kulturën e vendit, është mjaft e zakonshme që njerëzit të mbajnë vënë maska për fytyrën, si mbrojtje e përgjithshme edhe nëse nuk ndihen të sëmurë. Pra, megjithëse nuk mund të dimë numrin e përgjithshëm të maskave të nevojshme, është e qartë se tashmë ka një kërkesë të madhe, e cila do të vazhdojë të rritet, veçanërisht kur njerëzit të kthehen të punojnë në mes të shkurtit, pas festës së Vitit të Ri.
Sa prodhon Kina?
Në rrethana normale, Kina prodhon rreth njëzet milionë maska çdo ditë. Kjo vlerësohet të jetë rreth gjysma e të gjitha maskave të bëra globalisht. Sidoqoftë, prodhimi kinez aktualisht është ulur në rreth 10 milionë, si për shkak të festës së Vitit të Ri, ashtu edhe për ndikimin e vetë virusit.
Një lloj, i njohur si respirator N95, është krijuar për të filtruar të paktën 95% të grimcave të ajrit, dhe është më efektiv sesa një maskë e zakonshme kirurgjikale ose mjekësore, e cila gjithashtu duhet të ndryshohet më shpesh. Kina aktualisht prodhon çdo ditë rreth 600,000 nga këto maska me cilësi të lartë, sipas shifrave të Ministrisë së Industrisë. Një provincë, Zhejiang, raportoi në 27 janar se ata kishin nevojë për një milion nga këto maska çdo ditë, dhe provincat e tjera kanë thënë se ato janë vetëm në gjendje të plotësojnë kërkesën për këto maska me cilësi të lartë.
Për më tepër, spitalet nuk kanë rezerva të mëdha të këtyre maskave. Në të gjithë Kinën, ka pasur raportime për mungesa dhe çmime të larta, pasi njerëzit kanë nxituar për të blerë maska.
Për të dhënë një ide mbi këtë kërkesë, faqja kineze e blerjeve në internet , Taobao thotë se në vetëm dy ditë në janar, ata shitën më shumë se 80 milionë maska.
A mundet Kina të marrë maska nga jashtë?
Kina bleu 220 milionë maska për fytyrën midis 24 janarit dhe 2 shkurtit, nga Korea e Jugut, një nga vendet që e furnizon. Që nga fillimi i shkurtit, autoritetet gjithashtu kanë hequr tarifat dhe detyrimet për furnizimet mjekësore të importuara.
Firma amerikane, 3M, e cila është një prodhuese kryesore e maskave me cilësi të lartë të fytyrës, thotë se kompania po rrit prodhimin për të përmbushur kërkesën globale. Kompania Cambridge Mask me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, e cila bën maska me cilësi të lartë, thotë se është përballur me kërkesa të pashembullta, që janë shitur plotësisht.
Disa vende, si Tajvani dhe India, kanë ndaluar eksportimin e veshjeve mbrojtëse siç janë maskat për fytyrën. Tajvani thotë se dëshiron të përcaktojë përparësinë e mbrojtjes së qytetarëve të vet dhe ka njoftuar një sistem racionimi për blerjen e maskave të fytyrës.
Ka pasur gjithashtu raportime për mungesa në vendet jashtë Kinës për shkak të blerjes së shumtë nga paniku./BBC
Top Channel