Operacioni Forca e Ligjit (OFL) ka zbarkuar këtë të hënë Shijak ku ka rrethuar Kompleksin “Golden” në Shijak,  i cili është në pronësi të Altin Hajrit i cili është shpallur në kërkim për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Jan Prengës më 17 janar të këtij viti.

Dyshohet se Kompleksi “Golden” është ngritur nga burime parash që vijnë nga aktivitetet kriminale dhe pikërisht kjo ka bërë që OFL të shkojë dhe të rrethojë të gjithë subjektin.

Sipas njoftimit të  policisë pronari i resortit, Altin Hajri është dënuar me burg nga autoritet italiane të drejtësisë, me urdhër arrestin e datës 15.08.2015, për veprën  penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”. Dhe pikërisht nga kjo vepër penale dyshohet se është ngritur pasuria e Altin Hajrit.

Ndër të tjera policia njofton se dosja pasurore e Altin Hajri do t’i kalojë menjëherë SPAK-ut dhe në jo më shumë se 15 ditë SPAK-u duhet t’ia dërgojë Gjykatës Speciale, e cila ka 15 dite kohë për të konfirmuar masën e sekuestrimit duke hapur rrugën për konfiskimin përfundimtar të pasurisë së shtetasit Altin Hajri.

Njoftimi:

3 shkurt, nis OFL

Prej ditës së sotme ka filluar Operacioni Forca e Ligjit, me veprime konkrete në terren.

Ky operacion ka për qëllim sekuestrimin e pasurive të krijuara nga krimi i organizuar.

Operacioni Forca e Ligjit do të zhvillohet nga Forca e Posaçme OFL në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, duke bërë të mundur evidentimin dhe goditjen me anë të sekuestrimit të pasurive të deklaruara apo të fshehura të personave apo grupeve kriminale që i kanë përfituar ato nëpërmjet aktivitetit kriminal në fushën  e krimit të organizuar.

Në këtë kuadër, sot, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit  ka vendosur  sekuestron  e parë mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden” dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri.

Ky shtetas është dënuar me burg nga autoritet italiane të drejtësisë, me urdhër arrestin e datës 15.08.2015, për veprën  penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, në funksion të hetimeve për procedimin penal nr. 475, viti 2020, për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit, e kryer në bashkëpunim”, ngjarje kjo që lidhet me rrëmbimin e shtetasit J. P.

Sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhet në bazë të  elementit të urgjencës të parashikuar në Ligjin Special.

Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Aseteve, e cila në bazë të Ligjit Special është vendosur nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Dosja pasurore e shtetasit Altin Hajri do t’i kalojë menjëherë SPAK-ut dhe në jo më shumë se 15 ditë SPAK-u duhet t’ia dërgojë Gjykatës Speciale, e cila ka 15 dite kohë për të konfirmuar masën e sekuestrimit duke hapur rrugën për konfiskimin përfundimtar të pasurisë së shtetasit Altin Hajri.

Pas konfiskimit, pasuria në fjalë i kalon përfundimisht Ministrisë së Brendshme, e cila do të vendosë për shfrytëzimin ose shembjen e këtij objekti, si edhe do të marrë në zotërimin e saj  dhe do të përdorë për interesin publik paratë, makinat dhe tokat që aktualisht zotërohen nga ky shtetas.

Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturës së posaçme OFL është e vendosur që në bashkëpunim me SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit ta çojë deri në fund këtë operacion jetik, me interes të madh kombëtar e ndërkombëtar.

Top Channel