Policia spanjolle shkatërron një rrjet të gjerë të trafikut të substancës së dopingut EPO të destinuar për në të gjithë Evropën, në një operacion të kryer ditën e enjte, diçka që u konfirmua nga vetë autoritetet spanjolle.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, policia spanjolle bën të ditur ky rrjet i trafikut të kësaj substance të ndaluara për sportistët profesionistë e amatorë, drejtohej nga disa shtetas me kombësi serbe, njëri prej të cilëve jetonte në Barcelonë.

Sipas policisë, substanca famëkeqe doping ka hyrë në Spanjë nëpërmjet një klinike dialize në qytetin e Cadizit. hetuesit bënë të ditur se po përpilojnë një listë të personave që mund të jenë furnizuar me këtë substancë dhe në të përfshihen edhe një numër i madh sportistësh të disiplinave të ndryshme në Spanjë dhe jashtë saj të cilët synonin përmirësimin fizik të tyre. Mësohet se në këtë operacion janë vënë në pranga apo janë ndaluar 6 persona në Barcelonë dhe Cadiz.

Sipas policisë ky rrjet i trafikut të EPO vepronte prej të paktën 10 vitesh dhe produkteve iu ishte bërë reklamë në të paktën 7 portale në shumë gjuhë. në të njëjtën kohë, mësohet se hetuesit kanë zbuluar dhe qindra shiringa të mbushura paraprakisht në klinikë që ishin mbajtur në ruajtje në kushte të dyshimta. EPO ose Erythropoietin është një hormon natyral që prodhohet në veshka dhe që ndihmon në rigjenerimin e qelizave të kuqe të gjakut. Ajo është përfshirë në listën e substancave të ndaluara nga WADA pasi rrit aftësinë e gjakut në shpërndarjen e oksigjenit në muskuj dhe si pasojë përmirëson edhe paraqitjet sportive.

Top Channel