Varka me emigrantë mbytet në Ishujt Kanarie/ Të paktën 8 të vdekur, dhjetëra të tjerë shpëtohen

27/11/2026 18:10

Të paktën tetë emigrantë kanë humbur jetën pasi varka me të cilën po udhëtonin drejt Ishujve Kanarie u gjet në vështirësi në ujërat pranë arkipelagut spanjoll.

Bilanci i viktimave mund të jetë edhe më i lartë, pasi autoritetet kanë raportuar se numri i të vdekurve mund të shkojë deri në dhjetë.

Ngjarja ndodhi, kur shërbimet spanjolle të shpëtimit detar lokalizuan varkën rreth 70 kilometra larg Ishujve Kanarie. Në bord ndodheshin dhjetëra persona, ndërsa operacioni i shpëtimit u përqendrua në nxjerrjen e të mbijetuarve dhe transportimin e tyre drejt bregut.

Sipas shërbimit spanjoll të shpëtimit detar, Salvamento Marítimo, 84 migrantë, mes tyre edhe një i mitur, u shpëtuan dhe u dërguan në portin e La Restinga, në ishullin El Hierro.

Gjashtë prej të mbijetuarve ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u transportuan me helikopter drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në port, emigrantët u pritën nga efektivë të Gardës Civile, personel i Kryqit të Kuq dhe ushtarë të njësisë së emergjencave të ushtrisë spanjolle. Disa prej tyre ishin aq të dobët sa u desh të transportoheshin me barela, ndërsa të tjerë u mbështollën me batanije emergjence.

Varka, në të cilën ndodheshin ende trupat e viktimave, u tërhoq drejt ishullit El Hierro dhe pritej të mbërrinte në port gjatë orëve të pasdites.

Ministri spanjoll i Politikës Territoriale, Angel Victor Torres, e cilësoi operacionin e shpëtimit si të ndërlikuar, gjatë një prononcimi për radion spanjolle.

Ngjarja ndodh në një moment kur çështja e migracionit është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik në Spanjë, në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Top Channel