Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu thirri sot mbledhjen e dytë të Task-Forcës për koronavirusin e ri, pas shpalljes së gjendjes së emergjencës globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Megjithëse Shqipëria vijon të mbetet vend me rrezikshmëri të ulët dhe nuk ka asnjë rast të koronavirusit të ri në Shqipëri, në përgjigje të situatës pas shpalljes së gjendjes së emergjencës botërore, kemi marrë masa për të rritur brenda nivelit ku jemi, kontrollin, gjurmimin e rastit dhe izolimin e tij si dhe gjendjen e karantinës nëse do jetë e nevojshme”, tha Manastirliu.

Nisur nga fakti se koronavirusi është përhapur në 18 shtete, ku janë 98 raste të konfirmuara përveç Kinës, Manastirliu deklaroi se bazuar në rekomandimet e OBSh këshillohet të kufizohen udhëtimet drejt Kinës.

“Edhe pse nuk ka ndalim të shkëmbimeve me Kinën, në zbatim të rekomandimeve të OBSh, rrisim këshillimin për qytetarët tanë, që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme”, tha Manastirliu.

Shpallja e gjendjes së emergjencës globale rrit nivelin e koordinimit ndërmjet shteteve nga OBSh dhe siguron mbështetje për përgatitjen e të gjithë shteteve me nivelin e duhur të pasave, për një përgjigje të përbashkët ndaj koronavirusit të ri.

Në Shqipëri vijojnë masat në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe portuale, me survejancë të përforcuar dhe masa higjieno-sanitare të shtuara.

Aktualisht Shqipëria ka një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda si dhe atyre akute në të gjithë vendin dhe sistemi i kapjes së hershme dhe njoftimit të hershëm është i mirëpërcaktuar dhe funksionon më së miri. ISHP ka një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike.

Shqipëria mbetet vend me rrezik të ulët përsa i takon depërtimit të koronavirusit të ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA