Policia e Los Angelosit arriti të gjejë trupat e të 9 viktimave të aksidentit të rëndë të së dielës ku humbi jetën legjenda e NBA, Kobe Bryant dhe vajza e tij Gianna, por vetëm katër prej tyre janë identifikuar.
Një prej viktimave të identifikuar ishte pikërisht Kobe Bryant, diçka që u arrit nëpërmjet shenjave digitale të gishtave. Përsa u përket 3 personave të tjerë të identifikuar, bëhet fjalë për trajnerin e baseballit John Altobelli, piloti i helikopterit Ara Zobayan dhe Sarah Chester. Autoritetet amerikane po vijojnë punën për identifikimin e 5 viktimave të tjerë mes të cilëve Gianna Bryant, vajza e Kobe.
Përsa i përket ngjarjes, hetuesit kanë folur për progresin e bërë në hetimet e e tyre teksa konfirmuan se helikopteri i Kobe Bryant nuk e kishte instrumentin për të sinjalizuar pilotin për rrezikun e përplasjes me kodrën. Komunikimi i fundit i pilotit të helikopterit, Ara Zobayan ishte kur ai ishte ngjitur në 700 m lartësi, një veprim që e ndërmori për të evituar mjegullën dhe më pas ndodhi përplasja fatale
Ndërkaq, bota sportive e jo vetëm vazhdon të bëjë homazh për yllin e NBA dhe kjo u pa edhe në çerekfinalen e Kupës së Italisë mes Milanit dhe Torinos e fituar nga kuqezinjtë 4-2 pas kohës shtesë. Përpara fillimit të ndeshjes San Siro kujtoi Kobe Bryant teksa u shfaqën imazhet e tij dhe parullat ‘Sempre Kobe’ dhe ‘Legends never die’.
Po kështu, Kobe Bryant u kujtua edhe në qytetin francez Mulhouse kur ish basketbollisti jetoi disa muaj bashkë me familjen e tij kur ishte adoleshent, ndërsa në New York, Empire State Building u mbulua nga ngjyrat verdhe e vjollcë në nder të Kobe Bryant.
Top Channel