Nuk pati fitues në “Loro Boriçi” në takimin mes Vllaznisë dhe Laçit, me ndeshjen që përfundoi pa gola me gjithë rastet e krijuara në portat respektive.
Pjesa e parë ishte disi e përgjumur, me të dyja skuadrat që u shfaqën tepër të ngadalta dhe të lexueshme në aksionet e tyre. Në minutën e 22-të, Laçi dha një shkëndijë në portën e Vllaznisë me anë të Bedri Grecës, por tentativa e tij përfundoi jashtë. Ndërkohë, në minutën e 39-të, golashënuesi më i mirë i Superiores Nabueze, goditi keq topin, i vetëm përballë portierit.
Në pjesën e dytë Vllaznia u shfaq disi me aktive. Në minutën e 57-të shkodranët kërcënuan portën e Laçit. Krosim i Likës nga krahu i djathë, teksa tentativa e Shtubinës me kokë u ndal nga portieri Stazhilla.
Tjetër krosim në zonë, këtë herë i Gligorovoit, por topi u devijua dhe u kontrollua nga Stazhilla.
Kuqeblutë pretenduan për një prekje të topit më dorë nga Domgjoni, por nga pamjet duket qartë që gjithçka ishte e rregullt (60’).
Situata u tensionua pak minuta më vonë, trajneri Mirsad Jonuz debatoi me gjyqtarin Kridens Meta e ky i fundit e ndëshkon me karton të verdhë. Në këtë moment, tifozët hedhin sende në fushë. Trajneri provon të qetësojë situatën.
Vendasit nuk ndalen, sërish Shtubina që kërkon golin e ish-it, por goditja e rrezikshme e tij përfundoi jashtë (65’).
Në pak minuta Vllaznia “bombardon” portën e Laçit, por Stazhilla është i pakalueshëm. Në fillim devijon fare pak topin e goditur me kokë nga Lika, që ma pas ndalet në shtylla, ndërsa pak sekonda më vonë frenon edhe Zogajn.
Laçi e sheh veten në vështirësi, pasi shkodranët ushtrojnë presing të vazhdueshëm, por mbrojtja e kurbinasve, falë edhe portierit Stazhilla, rezistoi dhe nuk pësoi gol.
Një pikë për Laçin, që vazhdon t’i qëndrojë pranë vendit të 3-të me vetëm 1 pikë distancë, ndërsa për kuqeblutë kjo pikë nuk është se ndikon shumë në renditje.
Top Channel